Challandes: Po e ndjekim ëndrrën – Kosova në Evropian

Bernard Challandes, në një bisedë me “Gazetën Express” flet për kampanjën e suksesshme deri tash në eliminatoret e Euro 2020, por edhe për ëndrrën e kualifikimit të “Dardanëve” në Evropian, qoftë përmes eliminatoreve apo edhe Ligës së Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur në mënyrë fantastike kampanjën kualifikuese për Evropianin 2020.

“Dardanët” i kanë grumbulluar 5 pikë në 3 ndeshjet e para, duke përfunduar momentalisht në pozitën e tretë, me një pikë më pak se liderët, Anglia dhe Republika Çeke.

Paraqitjet dhe rezultatet pozitive i kanë shtuar ambiciet e Verdhekaltërve.

Ëndrra e kualifikimit në Euro 2020 për Kosovën mund të bëhet realitet.

Trajneri Bernard Challandes, në një bisedë me “Gazetën Express” ka folur për mundësinë e kualifikimit eventual të “Dardanëve”, qoftë përmes fazës kualifikuese apo edhe përmes Ligës së Kombeve, ku Kosova gjendet në gjysmëfinale.

“Ne kemi nisur mjaft mirë, ne mund të ëndërrojmë (në kualifikim), por jo diçka tjetër më shumë se ëndrrat. Nëse kemi mundësi do të bëjmë gjithçka që mundemi, por unë kam biseduar me ekipin se si të bëjë lojë të mirë, e jo të mendojë për rezultatin. Nuk është problemi tek rezultati, por se si të paraqitemi sa më mirë”, thotë fillimisht trajneri zviceran.

“Kualifikimi për Kosovën në Euro 2020 është një ëndërr. Ne e kemi nisur këtë rrugëtim kundër Madagaskarit. Ne e kemi mundësinë edhe përmes Ligës së Kombeve, por nuk do të jetë e lehtë kundër Maqedonisë. Por, nëse jemi në këtë grup dhe jemi afër pozitës së dytë, OK ne mund të ëndërrojmë. Por, nuk është problemi tek ambicia. Ka të bëjë me ngritjen e nivelit tonë. Nëse mund ta arrijmë këtë nivel në kualifikime, do të ishte e mrekullueshme”, vazhdoi Challandes për “Express”.

“Në gjendje normale, është e vështirë të arrihet kjo në një grup ku i ke përballë Anglinë dhe Republikën Çeke. Mirëpo, ne e kemi edhe Ligën e Kombeve dhe atje është një tjetër mundësi. Por, nuk flas për ambiciet, por për ta përmirësuar këtë ekip dhe për gjithçka që mund të bëjmë për ta arritur këtë ëndërr. Nuk mendoj se sa pikë na nevojiten, ne duhet të luajmë më mirë, duhet të mbrohemi, duhet të sulmojmë, duhet të bëjmë presion, duhet të jemi më efikase. Progres, progres, progres, vetëm progres. Në fund, ndoshta është e mjaftueshme, ndoshta jo”, përfundoi Challandes.

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje kualifikuese në muajin shtator, me Republikën Çeke më 7 dhe me Anglinë më 10 shtator.