Cila është fuqia e vërtetë e ushtrisë iraniane

Irani i ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara dhe është zotuar se do të hakmerret për vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani. Por cila është fuqia e vërtetë e ushtrisë iraniane?

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike me bazë në Britani të Madhe, ushtria e Iranit përbëhet nga 523 mijë pjesëtarë aktivë, të angazhuar në role të ndryshme ushtarake.

Në këtë shifër përfshihen 350 mijë ushtarë të rregullt dhe 150 mijë pjesëtarë të Gardës Revolucionare. Këto forca i kanë edhe 20 mijë pjesëtarë të forcave detare.

Pjesëtarë të njësive të ndryshme iraniane
Garda Revolucionare gjithashtu e kontrollon edhe njësitin “Basij”, i cili është forcë vullnetare që ka dhënë ndihmë për shtypjen e pakënaqësive të brendshme. Ky njësit besohet se mund t’i mobilizojë qindra mijëra anëtarë.

Garda Revolucionare është themeluar para 40 vjetësh për ta mbrojtur sistemin islamik në Iran dhe tashmë është shndërruar në forcë kryesore ushtarake, politike dhe ekonomike.

Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit
Pavarësisht se ka më pak trupa se ushtria e rregullt, Garda Revolucionare cilësohet si forca më autoritative ushtarake në Iran.

Për operacionet e jashtme përgjegjëse janë forcat Kuds, të cilat përbëhen nga rreth pesë mijë ushtarë. Kjo forcë i raporton drejtpërdrejt liderit supreme, Ayatollah Ali Khamenei.

Pjesëtarët e Forcave Kuds, përgjegjëse për operacionet e jashtme
Sipas Shteteve të Bashkuara, kjo forcë ofron fonde, trajnime dhe armë për organizatat që Uashingtoni i cilëson terroriste, përfshirë Hezbollahun në Liban dhe Xhihadin Islamik në Palestinë.

Irani importon armë kryesisht nga Rusia dhe Kina. Për shkak të problemeve ekonomike dhe sanksioneve ndërkombëtare, republika islamike nga viti 2009 deri në vitin 2018 ka importuar 96.5 për qind armë më pak se Arabia Saudite për të njëjtën periudhë.

Irani posedon disa lloje të raketave balistike.
Ky shtet posedon raketa balistike me rreze të shkurtër dhe rreze të gjatë veprimi, duke filluar nga 300 deri në 2000 kilometra.

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka vlerësuar se Irani i ka raketat më të fuqishme nga të gjitha shtetet e Lindjes së Mesme, shkruan “BBC”. E përktheu Nasuf Avdyli, /GE/