Cilat pika të draftit të Asociacionit mund t’i kontestojë Kushtetuesja? Flet Visar Ymeri

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri, kur është pyetur se cilat mund të jenë pikat e draft-statutit të Asociacionit e që mund të kontestohen nga Kushtetuesja ka thënë se janë disa çështje që janë vën në spikamë.

“Janë disa çështje që janë vendos në spikamë deri tash, e që prekin pika Komisioni i Arbitrazhit, organizimi i sistemit privat arsimor dhe shëndetësor për komunitetin serb dhe roli i Serbisë në këtë pikë. Një gjë që mendoj që duhet të vlerësohet me kujdes po ashtu është transferimi eventual i kompetencave komunale në organet e Asociacionit. Ky transferim do ta prek rendin kushtetues aktual sepse do të krijonte një pushtet të tretë. Dhe si i tillë ai duhet trajtuar me kujdes. Po ashtu nëse kjo vlerësohet nga GjK të jetë kështu atëherë këtë të drejtë delegimi nuk ka të drejtë ta jap Qeveria përmes dekretit, por është një gjë që duhet miratuar në Kuvend”, ka treguar ai.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se draft-statuti i hartuar prej Perëndimit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, krijon autonomi politiko-territoriale me kompetenca të theksuara shtetërore.

Hasani për REL-in, ka thënë se nuk do të thotë që dokumenti bëhet kushtetues vetëm pse mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Ai e përmend se draftet për Asociacionin do të duhej të ishin në përputhje me aktgjykimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo drafti aktual nuk e ka marrë atë fare për bazë, duke e përjashtuar nga preambula.