Cili është dallimi në mes të endemisë, epidemisë dhe pandemisë?

Shumë njerëz shpresojnë se koronavirusi do të zhduket aq shpejt sa erdhi. Por shumë virusologë supozojnë se virusi do të bëhet endemik, veçanërisht me omicron. Kjo do të thotë se njerwzit do të duhet të jetojnë me të.

Endemia: Një kërcënim i vazhdueshëm

Një sëmundje që shfaqet rregullisht në rajone të caktuara quhet endemi. Kur një sëmundje bëhet endemike, numri i njerëzve që sëmuren mbetet relativisht konstant me kalimin e kohës.

Numri i rasteve është më i lartë se në zonat e tjera, por nuk rritet me kalimin e kohës. Gjatë një periudhe të caktuar kohore, përafërsisht i njëjti numër njerëzish infektohen vazhdimisht me sëmundjen.

Një shembull tipik është malaria, e cila prek çdo vit 300 milionë njerëz në mbarë botën.

Që në maj 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) parashikoi se koronavirusi mund të shndërrohej në një virus endemik. Variantet delta dhe omicron kanë treguar që atëherë se sa i adaptueshëm është virusi, ashtu si gripi. Endemia do të thotë se virusi vazhdon të ekzistojë në botë dhe se do të duhet të mësoheni të jetoni me të në rajone të caktuara. Pra nuk do të zhduket.

Epidemia: Vetëm në një rajon

Përhapja e një sëmundjeje quhet epidemi kur shfaqet me frekuencë të pazakontë në një rajon të caktuar dhe për një periudhë të kufizuar kohore.

Kur numri i rasteve të një sëmundjeje në atë rajon të caktuar rritet mbi nivelin e pritur (endemik), quhet epidemi.

Një epidemi shfaqet, për shembull, kur virulenca e një patogjeni të veçantë ndryshon: një virus ndryshon dhe bëhet më ngjitës. Epidemitë mund të ndodhin edhe kur sëmundjet futen rishtazi në një zonë të caktuar. Parakusht është që një sëmundje të mund të transmetohet nga personi në person.

Një shembull i hershëm i kësaj është lija, e cila u fut në Amerikë me ardhjen e evropianëve që nga fillimi i shekullit të 16-të, përcjell Klankosova.tv

Pandemia: Përhapje në mbarë botën

Nëse një sëmundje përhapet nëpër vende të ndryshme dhe kontinente, ekspertët e quajnë atë si një pandemi.

Kjo do të thotë, mbi të gjitha, se kontrolli i suksesshëm i sëmundjes varet nga bashkëpunimi ndërmjet sistemeve shëndetësore të vendeve të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se një sëmundje është veçanërisht e rrezikshme ose vdekjeprurëse.

Sipas OBSh-së dhe Qendrave të ShBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), pandemitë zakonisht shkaktohen nga patogjenë të rinj ose lloje virusesh. Për shembull, këto mund të jenë zoonozat, sëmundje që transmetohen nga kafshët te njerëzit.

Nëse një sëmundje është e re për njerëzit, shumë pak njerëz do të jenë të imunizuar ndaj virusit. Vaksinimet nuk janë gjithashtu të disponueshme në këtë rast. Kjo mund të çojë në një numër të madh njerëzish që të infektohen.