Cili është qëndrimi i Macronit për dialogun Kosovë – Serbi

Kryeministri Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në kryeqytetin e Francës për t’u takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, takim ky që do të mbahet pas orës 19:00. Këta të dy do të bisedojnë lidhur me temën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si dhe perspektivën e Kosovës drejt integrimeve Europiane.

Qeveria e Kosovës e sheh dialogun me Serbinë si një proces që duhet të përgatitet mirë dhe në koordinimin të ngushtë në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, thonë zyrtarët e ekzekutivit të Kosovës.

Por cili është qëndrimi i presidentit francez për këtë çështjeje?

Macron kishte premtuar mbështetjen e plotë për procesin e dialogut.

Më 1 prill, në një letër që presidenti francez Macron ia kishte dërguar kryeministrit Kurti, kishte thënë se ai shpreson që dialogu do të vazhdojë, në mënyrë që të arrihet “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës, sikurse edhe të Serbisë”.

Kujtojmë, që më 1 korrik të vitit të kaluar, presidenti francez kishte planifikuar mbajtjen e një samiti në Paris me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, mirëpo ai kishte dështuar, pasi palët nuk kishin lëvizuar nga qëndrimet e tyre.

Serbia kërkonte heqjen e tarifës ndërkaq qeveria e asaj kohe e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kundërshtonte një gjë të tillë.

Ndryshe Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.