Çitaku akuzon Bislimin: Ju silleni si opozitarë rrënues dhe të papërgjegjshëm

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili hodhi dyshime mbi pavarësinë e gjyqësorit në vend, në konferencën për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë.

Çitaku ka thënë se Bislimi konferencën me Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë e shfrytëzoi për të hedhur “helm kundër institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës”.

“Nëse ai është në gjendje ta bëjë këtë para gazetarëve dhe mediave, imagjinojeni se si i mbronë dhe përfaqëson Bislimi interesat e Republikës sonë në takimet private”, tha ajo.

Tutje, ajo shtoi se “në vend së të silleni si liderë dhe përfaqësues të interesave të shtetit dhe qytetarëve – ju silleni si opozitarë rrënues dhe të papërgjegjshëm”.