Çitaku ia kthen Osmanit: Kufijtë i kemi larë me gjak, ata i përshkrova këmbë gjatë luftës

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku i ka reaguar ashpër Presidencës, më konkretisht këshilltari për media të presidentes Osmani,  Bekim Kupina, i cili i indinjuar pse Çitaku e kritikoi shefen e tij, lëshoi një varg akuzash ndaj Çitakut.

Ndër të tjera, Kupina i tha Çitakut se nuk e di ku i ka Kosova kufijtë, duke iu referuar të kaluarës së saj politike dhe afërsisë me ish-presidentin Thaçi, rrjedhimisht akuzave që i bëhen ende atij se ka dashur kinse “t’i ndryshojë kufijtë” e Kosovës.

“Presidentja çdo ditë punon për qytetarët e Republikës, ndaj deklaratat absurde, siç është kjo e znj.Çitaku sot, tregojnë se ka të tillë që pikërisht kur duhet të mbrohet interesi qytetar, nxiten nga interesa të ngushta me qëllim që ta sulmojnë Presidenten. Për dallim nga znj.Çitaku, Presidentja e vendit e di shumë mirë edhe kush janë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ku janë kufijtë e Republikës së Kosovës.

E Çitaku në reagimin e saj ka thënë se ajo i ka përshkruar me këmbë si një vajzë e re kufijtë e Kosovës, gjatë luftës.

“Për Kosovën dhe Republikën që e gëzojmë sot kemi dhënë djersë, gjak, familijarë e të afërm”, ka shkruar ajo.

Ajo ka nënvizuar gjithashtu faktin se si presidentja Osmani, në vend se të mirret me problemin, që janë vërshimet, po merret me të personalisht.

Postimi i plotë:

Kufijtë e Kosovës i ka larë me gjak UÇK-ja, ndërsa unë i kam përshkuar me këmbë si një vajzë e re gjatë luftës. Për Kosovën dhe Republikën që e gëzojmë sot kemi dhënë djersë, gjak, familijarë e të afërm.

Kosovën e pavarur e sovrane Presidentja e tanishme e ka trashëgu.

Ndërkohë, Presidentja paska gjetur kohë të mirret me mua, e jo me problemin e ngritur nga unë.

Njerëzit e mëdhenj mirren me ide e kauza. Të vegjëlit mirren me njerëzit e tjerë.