Çitaku ia kujton ministres Schwarz detyrat e saj, i thotë të mos e shtrembërojë të vërtetën kundër Kosovës

Anëtarja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku i ka reaguar ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz pasi kjo e fundit tha se BE nuk duhet të fajësohet për gabimet e Kosovës, duke arsyetuar tërthorazi mos-liberalizimin e vizave për Kosovën.

Çitaku në reagimin e saj tha se është e konfirmuar edhe nga Komisioni edhe nga Parlamentin Evropian tash e disa vite që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ajo gjithashtu ka thënë se edhe qytetarët e Venezuelës, Kolumbisë e Taiwanit mund të udhëtojnë në BE pa viza.

Tutje Çitaku tha se as brenda BE’së s’ka unitet për zbatimin e standardeve sepse jo të gjitha vendet janë në nivelin e Finlandës e Suedisë.

Në fund Çitaku i ka thënë se si ministre, Schwarz duhet të plasojë Kosovën në dritën e saj më të mirë, jo duke e shtrembëruar të vërtetën.

Ky është reagimi i saj i plotë:

E nderuara Ministre,

Para pak javësh në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë konfirmoi atë të cilën Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian po e përsërisin tani e disa vite: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Keni parasysh, qytetarët e Venezuelës, Kolumbisë e shumë të tjerë deri në Taiwan mund të udhëtojnë pa viza në BE.

Askush nuk po thotë se Kosova është gati sot të jetë anëtare e BE-së, sepse ne kemi ende për të bërë në luftën kundër korrupcionit, në sundimin e ligjit dhe në përjetësimin e vlerave evropiane.

Por, ta keni të qartë, as brenda BE-së nuk ka uniformitet në zbatimin e vlerave dhe standardeve. Jo të gjitha vendet e BE-së janë në nivelin e Finlandës apo Suedisë.

Por, mbi të gjitha, ju jeni Ministre e Jashtme e Kosovës. Detyra e juaj është ta plasoni Kosovën në dritën e saj më të mirë. Jo të mos e thoni të vërtëtën, por as mos ta shtrembëroni atë.