Çitaku reagon për skandalin diplomatik të Bislimit: Kjo është e rrezikshme dhe e dëmshme

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar për skandalin diplomatik të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i cili pas një takimi me zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, dha detaje të cilat më pas u përgenjështruan nga vet Berge.

“Ky, mjerisht, nuk është përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm [të Kosovës] në KE [Komisionin Evropian]”, tha Berge duke iu referuar deklaratës së Bislimit se ai e “mirëpriti” iniciativën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin Evropian.

Ndërkaq, Çitaku me anë të një postimi në Twitter po ashtu ka thënë se me një “Tweet”, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi e dëmtoi rëndë një agjendë të rëndësishme për Kosovën.

Madje sipas saj, kjo sjellje e Bislimit është jo-profesionale, e rrezikshme dhe e dëmshme.

“Me një tweet, ZvKM Bislimi dëmtoi rëndë një agjendë jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën. Mungesë totale e profesionalizmit. Ky nuk është vetëm skandal. Kjo është e rrezikshme dhe e dëmshme”, ka shkruar Çitaku.