Lajçak shprehet kundër ndryshimit të kufijve, thotë se provokon luftë

Përfaqësuesi Speciale i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka komentuar “non-paper” e parë të publikuar në të cilin flitej për ndryshime të kufijve të disa shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Lajçak, ky “non-paper”, që përfshinë ndryshimin e kufijve edhe në Kosovë e Bosnje është ide e keqe.

Lajçak ka thënë se ideja e rivizatimit të kufijve nuk është diçka e re dhe se ka qenë e pranishme për vite të tëra. Megjithatë ai thotë se është kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve, derisa shton se “non-paper” që parashikon ndryshime të kufijve është e rrezikshme dhe ide që provokon luftë.

“S’dua ti komentoj këto letra. Ideja e rivizatimit të kufijve nuk është ide e re, ka qenë këtu për vite. Unë plotësisht jam kundër një ideje të tillë. Është tërësisht e rrezikshme dhe ide që provokon luftë”, ka thënë Lajçak.

Këto deklarata Lajçak i ka bërë në një bashkëbisedim të organizuar nga “Italian Institute for International and Political Studie” me temën “The Geopolitical Gambles in the Balkans”.