Çka arrihet me Marrëveshjen Kosovë – Serbi?

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Prishtinës, Zejnullah Gruda, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka folur për dialogun me Serbinë dhe për gabimet që pala kosovare i ka bërë në këtë proces. Sipas tij, negociatorët e Kosovës e kanë faktorizuar Serbinë duke i dhënë mundësi të pyetet në çështjet për të cilat Kosova është kompetente. Kësisoj, Gruda ka thënë se Kosova e ka fituar një lloj inferioriteti karshi Serbisë dhe kërkesave të saj.

Duke përmendur krimet e Serbisë Gruda thotë se përmes Gjykatës Speciale Kosova është vënë në shënjestër për krime lufte në vend se të ndiqen dhe të dënohen fajtorët e vërtetë.

“Serbia është ajo që e saboton zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, Serbia është përgjegjëse për dëmet materiale të shkaktuara jo nga nevojat ushtarake, Serbia refuzon t’i kthejë kursimet e shtetasve kosovarë që janë marrë nga bankat kur ka filluar shkatërrimi i Jugosllavisë, Serbia saboton të hapet problem i suksedimit (trashëgimisë), Serbia ka plaçkitur arkivat, artefaktet dhe refuzon t’i kthejë ato”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Gruda ka përmendur edhe ato që mund të arrihen në marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi.

“Sipas asaj që është thënë shpesh, me këtë marrëveshje: Kosovës do t’i hapej rruga drejt anëtarësimit në OKB, do t’i njihej pavarësia dhe shtetësia brenda kufijve ekzistues (kufijve administrativë që ka pasur në ditën e shpalljes së pavarësisë), do të hapej rruga për dënimin e fajtorëve për krimet e luftës (vrasjet, dëbimet, dhunimet etj.), do të zbardhej fati i personave të zhdukur, do të zgjidhej çështja e reparacioneve për dëmet e luftës, do të zgjidhej çështja e suksedimit (trashëgimisë)”, ka nënvizuar ai.