Çka deklaroi në polici tregtari që pretendonte se mishi i kalit po shitet për suxhuk

Një tregtar nga Ferizaj kishte deklaruar se në tregjet e kafshëve nëpër Kosovë, po shitet mish i kuajve të sëmurë i cili po përdoret për suxhuk. Policia e ka intervistuar tregtarin i cili kishte shqetësuar qytetarët me deklaratat e tij. Lidhur me këtë rast, është lajmëruar edhe Prokurori i Shtetit.

Dha deklarata të cilat krijuan shqetësim të madh tek qytetarët. A.Z. i kishte thënë Expressit se nëpër të gjitha tregjet e kafshëve në Kosovë shitet mish i kuajve të sëmurë, i cili përdoret për suxhuk.

I intervistuar nga policia në Ferizaj, A.Z. nuk e ka pranuar të ketë thënë se mishi i kuajve të sëmurë po shitet në tregjet e Ferizajt.

Kështu po thotë togeri i policisë së Ferizajt, Agim Gashi.

“Menjëherë pas raportimit të këtij lajmi në media, kemi mbledhur informata për personin në fjalë dhe i njëjti është identifikuar dhe me datë 22.01.2020 në stacionin policor në Viti kemi intervistuar dëshmitarin A.Z. I cili ka deklaruar dhe njëherit ka mohuar se gjatë intervistës me gazetarë ka përmendur qytetin e Ferizajt”, ka thënë Gashi për Express.

Gashi ka shtuar se A.Z. në deklaratën e tij ka thënë se ka dëgjuar se disa tregtarë që merren me shitblerjen e mishit, po fusin në mënyrë ilegale kuaj nga Maqedonia e Veriut dhe po i shesin në Kosovë.

“Në deklaratën e tij i njëjti ka deklaruar se kishte dëgjuar nga disa tregtarë të cilët merren me shitblerjen e kafshëve se në mënyrë ilegale hyjnë kuaj nga Maqedonia e Veriut dhe mandej shiten në tregje të kafshëve nëpër Kosovë”, ka treguar Gashi.

Ai ka thënë se lidhur me intervistimin, informatat dhe deklaratën e këtij personi është njoftuar Prokurori i Shtetit në Prokurorinë e Ferizajt.

“Hetuesit e Sektorit rajonal të hetimeve DRP Ferizaj janë në kontakt të vazhdueshëm me inspektorët komunal lidhur me këtë çështje, por deri tani nuk kemi ndonjë rast të raportuar”, ka shtuar Gashi.

Çka kishte deklaruar për media tregtari, për mishin e kuajve

Megjithatë, deklaratat e A.Z. në polici ndryshojnë me ato që i kishte thënë gazetës. Ai kishte pohuar se në Ferizaj, kilogrami i mishit të kalit po shitet 70 centë.

“Tregtarët që janë ma të moçëm punojnë me shumicë. Unë për veti nuk kam shitë bash për suxhuk, por ne i shesim në treg, me thënë ashiqare nuk shkojnë tinëz asnjë, ne i qesim në treg në Ferizaj, te vaga shkojnë i matin ka 70 centë me kile, në treg të Vitisë e në përgjithësi në krejt Kosovën. Në krejt tregjet e Kosovës, ku shiten kuajt, shiten edhe të punës edhe të mishit”, ka thënë ai.

Ndërkaq ai pretendonte se ka edhe kuaj të sëmurë e që po përdoren për mish suxhuku.

“Ky në foto është për qen, por kryesisht shkojnë kuajt që janë të sëmurë, kanë një këmbë të vrarë ose qysh i themi ne “teknefez” që i ka mushkëritë e prishta. Po tash aty shiten ndoshta 5 të mirë e 10 të këqinj, edhe kësi që veç ecin pak”, deklaron ai.

A.Z. pretendon se mishtoret të cilat prodhojnë suxhuk, e bëjnë atë me 50 për qind të mishit të lopës dhe 50 për qind të mishit të kalit.

“I blejnë ma shumë mishtoret, se këta e përzijnë mishin, e bëjnë 50 për qind të lopës, 50 për qind të kalit. E bëjnë mish të bluar, e marojnë suxhuk, sallama e lloj-lloj mishi”, thotë A.Z.

Ky tregtar nga Ferizaj ka thënë se shet kuaj edhe për t’i ushqyer qentë. Një të tillë e kishte publikuar në Fb, ku njoftonte se e shet për t’i ushqyer kafshët mishngrënëse.

Çka kishte thënë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për këtë rast?

Pretendimet e A.Z. kanë çuar në këmbë Inspektoratin, Policinë e Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, AVUK ka thënë se janë njoftuar të gjitha institucionet përgjegjëse dhe po hetohet rasti.

“Për rastin konkret në momentin qe të dihen adresat ku bëhen veprimet e supozuara në koordinim me autoritet tjera ne do të veprojmë. Koordinatori i Zyrës regjionale t’ AUV-së në Ferizaj është në kontakt të vazhdueshëm me Policinë në ketë komunë dhe ka njoftuar për dyshimin i cili është ngritur ne media”, ka thënë zyrtari për informim i AVUK’ut, Lamir Thaçi.

Thaçi ka deklaruar se AVUK’u deri më tani nuk ka pranuar ankesa nga konsumatorët se ndonjë operator biznesi merret me përpunimin e mishit të kalit.

Ai ka shtuar se AVUK bën kontrolle të vazhdueshme nëpër thertoret dhe fabrikat e përpunimit të mishit, por nuk kanë hasur ndonjëherë në therje apo përpunim të mishit të kalit.

Thaçi thotë se thertoret e licencuara në Kosovë në kategoritë e kafshëve të cilat i therin nuk kanë të deklaruar therjen e kafshëve të llojit të kuajve.

“Po ashtu këto thertore gjatë orarit të punës kur kryejnë therje kanë prezent një veterinarë zyrtarë i cili kryen kontrollin shëndetësor të kafshës para therjes gjatë procesit të therjes dhe pas therjes dhe të gjitha therjet i raporton ne sistem. Po ashtu aty theren vetëm kafshët të cilat nuk janë ilegale. Ne deri me tani nuk e kemi të raportuar si të therur, asnjë kafshë të llojit të Kalit”, ka deklaruar Thaçi.