Çka e nxiti ultimatumin e Thaçit

Ndonëse ia refuzoi ftesën për tri herë radhazi, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti nuk i është bindur as në takim kërkesës së presidentit Hashim Thaçi. Në takimin e djeshëm kreu i Vetëvendosjes të parit të vendit nuk ia propozoi emrin për mandatarin e qeverisë së re. Ky veprim i Kurtit shtyu presidentin t’i japë atij ultimatum prej 48 orësh për t’ia dhënë emrin e mandatarit të ri, ndonëse një gjë e tillë nuk parashihet në Kushtetutën e Kosovës, shkruan gazeta Zëri.

Vetëm 4 minuta mjaftuan që të përfundojë takimi mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe liderit të partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit Albin Kurtit. Ky takim i thirrur për katër herë radhazi nga Thaçi u mbyll pa asnjë rezultat, meqë kreu i LVV-së nuk ia propozoi emrin e mandatarit të ri ashtu siç ishte paraparë të ndodhte. Në mungesë të marrëveshjes bashkëqeverisëse me LDK-në, Albin Kurti vendosi ta shtyjë emërimin e mandatarit të ri për kryeministër. “Presidenti kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, por në bazë të Kushtetutës së Kosovës është e nevojshme që kjo të bëhet me shkrim. Prandaj për këtë kërkesë të presidentit unë do ta raportoj Kryesinë e Vetëvendosjes dhe sa më parë që mundemi do t’ia sjellim propozimin tonë presidentit për kryeministrin e ardhshëm, të cilin ai duhet ta mandatojë në bazë të obligimit kushtetues që ka”, ka thënë Kurti.

Ky veprim i Kurtit e ka nxitur presidentin Thaçi që t’i japë atij 48 orë kohë për ta propozuar emrin e kryeministrit të ardhshëm, pavarësisht se një gjë e tillë vlerësohet se nuk ka bazë ligjore. Ndërkohë edhe pse nuk e prezantoi emrin e mandatarit të ri të qeverisë së Kosovës, Kurti përmes një videomesazhi tregoi gatishmërinë e tij për të qeverisur me vendin. Pretenduesi për kryeministër para takimit me Thaçin publikoi emrat e kabinetit të tij qeveritar, i cili do të përbëhet nga kryeparlamentari, 5 ministri, si dhe një zëvendëskryeministër.

Thaçi ia jep 48 orë Kurtit për ta caktuar mandatarin e ri

Presidenti i vendit Hashim Thaçi menjëherë pas takimit që pati me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin i ka dhënë kohë atij që brenda 48 orëve ta propozojë emrin e mandatarit për qeverinë e re. Këtë vendim Thaçi e mori pasi në takimin e mbajtur dje Kurti nuk dha kurrfarë propozimi për mandatar. “Kam vendosur t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës para se t’i marrë veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

Thaçi tutje përmendi edhe mosgatishmërinë e Kurtit për ta propozuar mandatarin e qeverisë së re, me ç’rast ai shprehu nevojën që sa më parë të formohen institucionet e reja. “Nevoja e formimit të qeverisë është jetike për shtetin dhe për qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe të kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera presidenti Thaçi.

Ultimatumi antikushtetues i Thaçit

Afati kohor, që presidenti Thaçi ia caktoi dje Albin Kurtit, po shihet si veprim pa bazë ligjore, pasi paragrafi 68 i vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin nuk parasheh se sa ka afat subjekti fitues për t’ia paraqitur presidentit emrin e mandatarit për kryeministër. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili ka thënë se afati i përcaktuar nga presidenti Hashim Thaçi ndaj Albin Kurtit që 48 orë ta nominojë kandidatin për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës është në kundërshtim me Kushtetutën. “Presidenti i Republikës nuk mund të caktojë afate, sepse procesi i formimit të institucioneve është një proces politik, i cili bazohet në Kushtetutë. Presidenti duhet t’i përmbahet Kushtetutës, e cila në asnjë interpretim nuk i jep të drejtë presidentit për vënie të afateve ultimative, kurse forcat politike kujdesen për formimin e vullnetit politik të qytetarit të Kosovës”, ka thënë ai në një deklaratë për medie.

Tutje ai thotë se Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin VLAN e kanë bërë të qartë që herën e parë se presidenti asnjë diskrecion nuk ka në çështjen e propozimit të mandatarit, kurse në të dytin rund ekziston një diskrecion që duhet të realizohet brenda kritereve mbizotëruese, gjithnjë duke respektuar vullnetin e shumicës së votuesve të Kosovës.

LVV-ja propozon emrat e ministrave, LDK-ja heziton

Vetëm pak orë para se të nisë takimi i Kurtit me Thaçin Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video-mesazh, përmes të cilit i ka prezantuar emrat e pozitave qeveritare që do t’i takojnë Vetëvendosjes. Ende pa pasur marrëveshje konkrete koalicioni me LDK-në, Kurti ka bërë të ditur se partia që udhëheq ai në qeveri do të përfaqësohet nga Haki Abazi si zëvendëskryeministër i dytë, Blerim Reka si ministër i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, ndërsa për ministër të Financave dhe të Transfereve është propozuar Besnik Bislimi, për ministre të Drejtësisë Albulena Haxhiu, kurse ministër i Shëndetësisë dhe i Sportit është propozuar Arben Vitia. Ministria e Ekonomisë, e Tregtisë dhe e Industrisë pritet të udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.

Në fund të këtij video-mesazhi Kurti i bëri thirrje partnerit potencial të koalicionit qeverisës, LDK-së, që edhe ata ta prezantojnë pjesën tjetër të kabinetit qeverisës. Mirëpo një gjë e tillë nuk është mirëpritur nga përfaqësuesit e LDK-së, të cilët e kanë cilësuar atë si lëvizje jo të duhur. Me këtë rast nënkryetari i kësaj partie Agim Veliu ka thënë se ky veprim ka qenë i pamatur dhe se qëndrimet e LDK-së ndaj marrëveshjes qeverisëse me LVV-në kanë ndryshuar me zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryeparlamentar. “Nuk është rrugë e duhur kjo të komunikohet në publik, nuk e kam parë ofertën, por pas 26 dhjetorit ku u zgjodh kryetari i Kuvendit nga LVV-ja LDK-ja duhet ta shqyrtojë pozicionin tonë. Do të mblidhemi sot për t’i shqyrtuar të gjitha opsionet tona”, ka thënë shkurt Veliu para takimit të Kryesisë së LDK-së.

Edhe Gazmend Muhaxheri, anëtar i Kryesisë së LDK-së, duke i komentuar këto veprime të Vetëvendosjes theksoi se është e papranueshme për partinë e tij të caktohen emrat e bartësve të përgjegjësive qeveritare ende pa u arritur marrëveshja për bashkëqeverisje. “Nuk kam çfarë të komentoj. Si mund t’i caktojmë emrat e ministrave përderisa ende nuk kemi marrëveshje?”, ka thënë shkurt ai.

Kryeparlamentari punë e kryer, Vetëvendosja nuk negocion më për këtë pozitë

Në anën tjetër kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në negociatat e ardhshme me LDK-në pozita e kryeparlamentarit nuk do të jetë e negociueshme, pasi kjo çështje është mbyllur më 26 dhjetor kur kryetar Kuvendi u zgjodh Glauk Konjufca. “Tash ne nuk mund të kthehemi mbrapsht para 26 dhjetorit, ashtu siç nuk mund të kthehemi mbrapsht as para 6 tetorit, as para ofertës sime para datës 4 shtator. Koha kalon, edhe unë do të dëshiroja të isha nja 10 vjet më i ri, por kjo nuk është e mundur. Tash duhet të takohemi dhe të bisedojmë në mënyrë që harmonizimin tonë programor ta zgjerojmë edhe me ndarjen e ministrive”, theksoi Kurti.

Ai tutje ka folur edhe për zbehjen e takimeve midis partisë së tij dhe LDK-së, me ç’rast ka thënë se është në komunikim me ta pavarësisht se nuk kanë pasur takime tash e një kohë. “Unë përherë kam pritur dhe kam insistuar për takime sa më të shpeshta, sepse nuk bëhet marrëveshja shpejt pa takime të shpeshta. Kurdo që ata janë të gatshëm unë jam në kontakt me ta. Të mos keqkuptohemi, fakti se nuk kemi pasur takim nuk do të thotë se nuk jemi në komunikim dhe unë do të komunikoj sërish qysh sot se kur do ta kemi takimin e radhës”, shtoi ai.

Presidenti të zgjidhet nga qytetarët, të mos e prolongojë koalicionin LVV – LDK

Ndërkohë teksa Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të insistojë në marrjen e pozitës së presidentit, Vetëvendosja në anën tjetër vazhdon që këtë pozitë ta shohë si të panegociueshme. “Për bindjen time të fuqishme më mirë do të ishte që çështjen e presidentit ta diskutojmë kur t’i vijë koha edhe pasi të kemi qeverisur së bashku”, ka thënë të hënën lideri i kësaj partie Albin Kurti.

Kurse Ismet Kryeziu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve për president në Kroaci ka krahasuar këtë situatë me zvarritjen e krijimit të qeverisë së re në Kosovë, të cilën e ka stagnuar pikërisht pozita e presidentit, e cila ka qenë pikë ndarëse mes dy partnerëve potencialë të koalicionit LVV – LDK. “Kroacia ka sistem parlamentar, por zgjedhjen e presidentit e bën në mënyrë të drejtpërdrejtë nga votat e qytetarëve. LVV-ja dhe LDK-ja, nëse kanë pasur harmonizim të programeve qeverisëse për reformat e pritura politike, para secilës marrëveshje do të duhej të dakordoheshin që të fillonin reformën zgjedhore. Zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do të ndihmonte në shmangien e krizave që mund të dalin si pasojë e mosmarrëveshjeve për pozitën e presidentit gjatë arritjes së marrëveshjeve për koalicion qeverisës”.

Ai ka thënë se zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do të mundësonte që ky post institucional të kishte vlera të frymës kushtetuese, do t’i ikte komprometimit të kësaj pozite përmes pazareve politike, si dhe do të tejkalonte edhe situata të cilat janë të lidhura me 80 votat e nevojshme dhe provokojnë zgjedhjet e parakohshme.