Çka ndodhi në Kamenicë ku inspektori i rrejshëm ia kërkoi 400 euro punëtores së një lokali

Është dërguar në mbajtje një person pasi që më datë 18 dhe 20 janar rreth orës 12:00 kishte shkuar në fshatin Rogoqicë të Kamenicës tek një biznes i paregjistruar ku edhe kishte kontaktuar me punëtoren e atij lokali, shkruan Gazeta Sinjali.

I njëjti është prezantuar rrejshëm si inspektor i nivelit qendror me emrin Engjëll Shkodra dhe nga punëtorja fillimisht ka kërkuar para në vlerë prej 400 eurove për rregullimin e dokumentacionit për regjistrimin e biznesit në procedurë të shpejtë.

Nëse nuk ia jepte të hollat që kërkonte, gjoba për mosregjistrim pas tri ditësh do të kushtoj 11,000 euro, të cilën ai do ta shqiptonte me kolegët e tij.

Rasti për Sinjalin është konfirmuar nga Policia e rajonit të Gjilanit të cilët thonë se është identifikuar i dyshuari B.Sh (1989) me vendbanim në Gjilan.

Gjatë intervistimit të tij dhe në bazë të procedurave ligjore është vërtetuar se ai ishte prezantuar rrejshëm.

Kështu, me urdhër të prokurorit të shtetit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën penale “prezantim i rrejshëm”.