Çka po ndodh me Qeverinë Kurti? Paradite i takojnë grevistët e pasdite i shajnë dhe kërcënojnë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka njoftuar se greva do të vazhdojë, por pas këtij njoftimi ka reaguar Qeveria e Kosovës.

Gjatë kohës sa Albin Kurti ishte në opozitë gjithmonë i përkrahte grevat e punëtorëve të sektorëve publik, madje thoshte se pakënaqësitë që sindikalistët i paraqesin janë rezultat i keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit sidomos në arsim e shëndetësi.

Por tani që është pushtet, që prej 25 gushtit kur sektori publik ka hyrë në grevë, Albin Kurti ka marrë krejt tjetër qëndrim ndaj sindikatave, shkruan Demokracia.com.

Në vazhdimësi ai apo edhe vartësit e tij kanë kërcënuar në mënyra të ndryshme grevistët e duke shkuar deri te ajo më ekstremja, ndaljen e pagave.

Para pak çastesh Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), njoftoi se greva do të vazhdojë pavarësisht takimit që kanë pasur me udhëheqës të Qeverisë së Kosovës, ekzekutivi vazhdon t’i fajësojë grevistët për situatën e krijuar.

Është zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, i cili përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjtin social Facebook, ka fajësuar grevistët, përkatësisht sindikatat për kët situatë duke thënë se mungon arsyeshmëria e kërkesës së tyre.

Postimi i plotë i Kryeziut, pa ndërhyrje:

Deri tani, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i stafit të kryeministri janë takuar të paktën dhjetë herë me kryetarin e BSPK, z. Atdhe Hykolli.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka mbajtur katër takime me përfaqësues të sindikatave, përfshirë BSPK.

Ministri i Shëndetësi, Rifat Latifi të paktën katër takime me përfaqësues të degëve sindikale, përfshirë BSPK.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pasur gjashtë takime me sindikatat e Policisë, Zjarrfikësve, Infermierëve e Arsimit.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberi Nagavci tetë herë është takuar me përfaqësuesit e SBAShK-ut.

Gjithsej janë zhvilluar mbi 30 takime ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave. Pra komunikim ka pasur. Takime ka pasur. Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara.