Çka thotë Policia për tentim sulmin ndaj Rrahman Jasharajt?

Policia e Kosovës doli në vendin e ngjarjes.

Mirëpo, ajo nuk hapi rast ndaj askujt për incidentin në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, ku pati tentim për sulm gjatë së hënës ndaj kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

“Rreth orës 11:30 policia ka pranuar informatën. Pas trajtimit të rrethanave të ngjarjes gjithçka ka mbetur në suazat e mosmarrëveshjes”, theksoi për “Front Online” Agron Borovci nga Drejtoria e Policisë në kryeqytet.

Lidhur me ngjarjen që i ndodhi, ka folur vetë protagonisti Jasharaj.

“Një prind deshi të më sulmojë, ishte tendencioze – mund të sulmohem edhe në rrugë”, ka thënë ai.

Jasharaj insiston se greva nuk do të ndalet.

Nën udhëheqjen e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), sistemi arsimor publik në të gjitha nivelet në Kosovë si dhe administratat e institucioneve publike më 25 gusht kanë hyrë në grevë deri në afat të pacaktuar, raporton “Front Online”.

Ata po kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj.

Qeveria u ka ofruar nga 50 euro shtesë për katër muajt e ardhshëm. Oferta nuk është pranuar. Greva po vazhdon edhe sot, e hënë.