Çmimet e naftës kanë arritur nivelin më të lartë që nga paslufta në Kosovë

Çmimet e naftës dhe derivateve të saj, kanë arritur nivelin më të lartë që nga paslufta në Kosovë. E, kur flitet për mundësinë e rritjes së mëtutjeshme të këtyre çmimeve, kanë filluar kërkesat në drejtim të Qeverisë për uljen ose largimin e akcizës dhe TVSH-së, për derivatet.

Përfaqësues të bizneseve thonë se kjo është domosdoshmëri dhe do ndikonte pozitivisht te qytetarët e bizneset.

Po vazhdon me ritme të shpejta rritja e çmimit të naftës në Kosovë, sidomos pas fillimit të luftës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Nga 1 euro e 54 centë e deri në 1 euro e 67 centë, varironte çmimi i derivateve të naftës pasditen e së martës në Prishtinë.

Përkundër ndryshimit të çmimeve, si pasojë e shtrenjtimit të derivateve të naftës edhe në bursën ndërkombëtare, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, në vazhdimësi pohon se çmimet në Kosovë janë më të lira se në disa vende të Ballkanit, shkruan RTK.

E pas ngritjes së theksuar të çmimit, të hënën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Qeveria aktuale po tregohet e paaftë në përballjen me krizën aktuale. Për tejkalimin e situatës, mes tjerash ai ka rekomanduar të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahni, thotë për Radio Kosovën, se Qeveria duhet të largojë akcizën për naftën.

“Shteti i Kosovës ka hapësirë dhe mundësi pa e rrezikuar buxhetin e shtetit, të heqë akcizën e derivateve e cila është 35 centë për litër, pasi tashmë është caktuar edhe limiti i marzhës 6% për bizneset që shesin derivate. Këto të dyja do të ndikojnë në uljen e çmimit. Të marrim si shembull, nëse sot një litër naftë është 1 euro e 50 centë, ajo me automatizëm do të bie në 1 euro”, tha ai.

Shahini thotë se heqja e përkohshme e akcizës së derivateve është domosdoshmëri dhe do të ndikonte pozitivisht te qytetarët dhe bizneset.

Në situatën që jemi, monitorimi i tregut është më se i nevojshëm, ka thënë për RTK-së njohësi i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, i cili si mundësi për uljen e çmimeve, përmend edhe uljen e akcizës e TVSH-së.

“Instrumenti i parë është për të krijuar sasi. Instrumenti i dytë është monitorimi i rreptë i tregut të karburanteve. Instrumenti i tretë është ulja e akcizës dhe TVSH-së. Ne për një litër naftë paguajmë rreth 36 centë akcizë, e kur kësaj i shtojmë edhe TVSH-në, diku rreth 60 centë paguajmë tatime. Nëse ulen tatimet, automatikisht ulen edhe çmimet”, tha ai.

Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, Qeveria e Kosovës ditë më parë vendosi që të mos lejojë më shumë se 6% fitim për shitësit e derivateve me pakicë dhe 4% për shitësit me shumicë.