Çmimet Nobel për Letërsi shkojnë në Poloni dhe Austri

Çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2018 ka shkuar për shkrimtaren polake, Olga Tokarczuk.

Ndërkaq, çmimin për vitin 2019 e ka fituar autori austriak, Peter Handke.

Akadema suedeze e ka shpërblyer Tokarczuk-un për “imagjinatën rrëfyese me një pasion enciklopedik që përfaqëson kryqëzimin e kufijve si formë të jetës”.

Ndërkaq, dhënien e çmimit për Handke-n e kanë argumentuar sipas tyre për “punën me ndikim që me zgjuarsinë gjuhësore e ka eksploruar periferinë dhe specifikimin e përjetimit njerëzor”.

Çmimi Nobel për Letërsi sivjet u nda dy herë pasi që vitin e kaluar akademia suedeze e kishte anuluar ceremoninë shkaku i skandaleve të sulmeve seksuale, konfliktit të interesit dhe korrupsionit që kishin prekur akademinë.

Që nga ajo kohë, akademia e Suedisë ka një sekretar të ri të përhershëm, Mats Malm, pas dorëheqjes së Anders Olsson si dhe ka anëtarë të ri në akademi pas një sërë dorëheqjesh që ishin dhënë vitin e kaluar.