Covid-19/ Tjetër rekord negativ, infektohen 57 persona gjatë 24 orëve të fundit

Ditën e sotme është shënuar një tjetër rekord negativ për sa u përket numrit të infektimeve me Covid-19 në Shqipëri. Burime për Top Channel bëjnë me dije se gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin tonë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, 57 persona.

Ky është numri më i lartë i infektimeve deri më tani në vendin tonë. Kujtojmë se një shifër kaq të lartë Shqipëria nuk  e ka shënuar edhe në kulmin e pandemisë ku vendi ishte në izolim. Të njëjtat burime për Top Channel, bëjnë me dije se shpërndarja gjeografike e rasteve është si në vijim: 14 raste në Tiranë, 8 Shkodër, 16 në Krujë, 2 në Durrës, 6 Lushnje, 9 në Vlorë dhe 2 raste të tjera janë zbuluar në Pukë. Në total janë kryer 362 teste gjatë 24 orëve të fundit.

Ndërkohë ditët e fundit në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të vendit është vënë re, neglizhencë nga qytetarët, duke mos respektuar distancën fizike, apo përdorimin e maskave.

Ndërkohë një ditë më parë në vendin tonë  u shënuan 48 raste pozitiv me koronavirus e ndërsa ka pasur edhe një rritje të të shtruarve në spital, 4 më shumë se dje. Ndërkohë, hartës së qyteteve të prekura është shtuar edhe Gjirokastra, ku ditën e djeshme ka shënuar rastin e parë.