Daçiq: Mbi 100 shqiptarë punojnë në OKB në emër të Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se nga 240 persona sa janë angazhuar në Kombet e Bashkuara në emër të Serbisë, 108 apo 114 prej tyre janë shqiptarë. Daçiq e ka thënë këtë në një intervistë për televizionin serb “TV Pink”.

“Unë thashë se sa hipokritë jeni ju shqiptarët, nuk doni të shkoni në Serbi, dhe keni mjelë aq sa keni mundur prej saj dhe tash doni edhe shtetin tuaj”, tha Daçiq.

Daçiq ka thënë se shqiptarët e kanë shtetin e tyre, Shqipërinë.

“Nëse Kosova mund të kërkojë edhe të marrë pavarësinë, atëherë pse Republika Srpska s’mund ta bëjë të njëjtën gjë”, tha Daçiq.

Daçiq ka thënë se pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “s’do të ketë zbatim të mëtejshëm të marrëveshjes”.

“Është e rëndësishme të tregohemi të zgjuar dhe të bëjmë gjithçka për ta ruajtur paqen. Nuk ia kemi frikën as Kurtit e as Gërvallës, komuniteti ndërkombëtar duhet t’ia ketë frikën atyre”, tha Daçiq.

Daçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë javë, kishte thënë se “Serbia s’do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të votojë për pranimin e saj në OKB”.

Ai në “TV Pink” tha se e kishte thënë “sipas udhëzimeve të Vuçiqit, qëndrimin e qartë të Serbisë”.