Dallimi i çmimeve të testeve për COVID-19 nga laboratorët private në Kosovë me ato të rajonit

Në tregun e Kosovës, rreth 100 institucione private shëndetësore, ku bëhen teste serologjike dhe teste me metodën PCR për COVID-19, kanë licencë nga Ministria e Shëndetësisë.

Përmes këtyre testeve serologjike, qytetarët mund të mësojnë nëse e kanë tejkaluar koronavirusin dhe nëse kanë krijuar antitrupa kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton ky virus, shkruan Gazeta Insajderi.

Mirëpo qytetarët janë ankuar për çmimet e këtyre testeve me ç’rast ka reaguar kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi.

Ai kishte ftuar të gjithë qytetarët dhe mediat që të raportojnë çdo parregullsi që mund të ndodhë në këta laboratorë rreth çmimit dhe në ofrimin e shërbimeve. Sa i përket çmimeve për kryerjen e testeve, ai thotë se janë në nivel të konkurrueshmërisë.

“Sipas analizave të deritashme, çmimet e shërbimeve molekulare dhe serologjike janë në nivel të konkurrueshmërisë, të ndryshme në komuna dhe regjion, çmimet janë transparente ka ndryshime të çmimeve në laboratorë të ndryshëm dhe qytetarët kanë mundësi të bëjnë zgjidhje sipas preferencave apo buxhetit”, kishte thënë Prestreshi.

Sa kushton bërja e një testi të tillë në Kosovë?

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë sa u përket shërbimeve të testimeve serologjike çmimet fillojnë prej 15-30 euro, varësisht prej institucionit ku kryhet dhe komunës.

Kurse çmimi për teste molekulare, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash deri në 200 euro”, thuhet pos tjerash në komunikatën e ministrisë.

Nëpër grupe të ndryshme në rrjetin social Facebook, qytetarët vazhdimisht kanë kërkuar rekomandime për institucionet që kryejnë testime me metodën PCR.

Shumë qytetarë kanë shkruar publikisht se kishin kryer teste të tilla në laboratorë privatë.

Mirëpo, një numër i madh i komentueseve kanë rrëfyer se si kishin paguar nga 50 deri në 120 euro për teste, me të cilat nuk janë lejuar të kalojnë kufirin me Maqedoninë e Veriut e as me Malin e Zi.

Por sa kushton bërja e testit për Covid-19 në vendet e rajonit?

Në vendet e rajonit, çmimet për testimin serologjik në disa institucionet private shëndetësore janë prej 17 deri 32 euro.

Në Maqëdoninë e Veriut personat të cilët shfaqin simptoma të virusit COVID-19 dhe ato që kanë qenë në kontakt me persona që rezultojnë të infektuar, janë të vetmit që përfitojnë nga testimi falas, ndërsa të tjerët duhet të drejtohen në spitalet e licencuara private për të bërë dy llojet e testeve, serologjik dhe PCR, janë të detyruar të paguajnë nga 70 euro deri në 35 euro.

E në Shqipëri, në spitalet private të cilat janë të licencuara nga Ministria e Shqipërisë, çmimi për të bërë një test serologjik kushton 32 euro.

Ndërsa në Serbi dhe Mal të Zi bërë të bërë një test për COVID-19 është më i lirë se në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Në këto dy vende të rajonit [v.j Serbi, Mali i Zi], sillet nga 17 euro deri në 22 euro.