Kelmendi pas marrëveshjes për targat: A është kjo e njëjta që ishte propozuar të hënën?

Drejtori i Përgjithshëm i Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave.

Kelmendi ka ngritur pyetjen nëse kjo marrëveshje është e njëjta me atë që u propozua nga BE-ja në takimin e së hënës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ajo çka na duhet është shpjegimi se a është kjo marrëveshja e njëjtë që ishte propozuar të hënën? Nëse po, pse u shty për dy ditë? Nëse jo, çka kemi përfituar cilësisht krahasuar me atë që ishte të hënën në tavolinë?“, ka pyetur Kelmendi përmes një statusi në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Tutje autori i emisionit Rubikon po ashtu pyeti nëse është konfirmuar që deri në mars të vitit të ardhshëm të arrihet marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dhe, më e rëndësishmja, a është konfirmuar afati që deri në mars 2023 të arrihet marrëveshja e përgjithshme Kosovë-Serbi, e garantuar nga BE-ja dhe SHBA-ja?”.

“Po presim përgjigje!”, përfundoi Kelmendi.