Dardan Molliqaj vazhdon rrugëtimin e tij pa Visar Ymerin, Shpend Ahmetin e Dardan Sejdiun

Partia Socialdemokrate ka zgjedhur hierarkinë e re drejtuese të saj, ku vërehen mungesa të mëdha të atyre që e themeluan partinë një vit më parë dhe e udhëhiqen atë deri pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Dardan Molliqaj është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Socialdemokrate. PSD ka zgjedhur edhe dy nënkryetarët e rinj, Qëndron Kastratin dhe Zgjim Hysenin, si dhe sekretaren e përgjithshme, Teutë Rrusta.

Po ashtu ky subjekt i ri politik ka zgjedhur edhe kryesinë e re. Mirëpo vërehen mungesa të mëdha që ishin themelues të këtij subjekti.

PSD erdhi në shprehje vitin e kaluar kur një grup i madh i të larguarve nga VV’ja iu bashkuan këtij subjekti, që atëkohë drejtohet nga Kaqusha Jashari.

Shpend Ahmeti, Visar Ymeri dhe Dardan Sejdiu ishin ndër njerëzit më të votuar të VV’së në zgjedhjet nacionale të 2017’ës, dhe së bashku me Molliqajn, Fisnik Ismailin, Dukagjin Goranin, Shqipe Pantinën dhe Aida Dërgutin u larguan nga ai subjekt dhe formuan grupin e tyre parlamentar.

Por tani asnjë nga këta emra nuk figuron në kryesinë e PSD’së.

Largimi i tyre nga VV ndodhi me shumë bujë. VV sapo kishte fituar tre komuna në zgjedhjet lokale, ndërsa në zgjedhjet nacionale kishin fituar 32 deputetë, duke qenë partia më e votuar në vend. Akuzat mes anëtarëve të të dy subjekteve ishin të mëdha, dhe debatet nëpër studio televizive ishin të ashpra. Kështu PSD mbajti 11 ulëse në Kuvend deri në kohën kur Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeminsitrit dhe u shpallën zgjedhjet e reja.

PSD pësoi debakël në zgjedhjet e fundit. Ky subjekt lidhi një koalicion me AAK’në para zgjedhjeve. Por dështoi që të merrte së paku një ulëse. Shpresa e tyre e vetme ishte që të përfaqësohej nga Natyra Kuçi, por kjo e fundit nuk u fut në Kuvend pasi që Nisma kaloi pragun. Fillimisht iu la faji AAK’së për dështimin e këtij subjekti, por më vonë ndodhën procese tjera.

Shpend Ahmeti mori përgjegjësi për humbjen dhe dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të kësaj partie. Tani ai po vazhdon mandatin e tij si kryetar i Prishtinës. Ndërkohë dorëheqje kanë dhënë edhe Dardan Sejdiu dhe Visar Ymeri, së bashku me Fisnik Ismailin. Ky i fundit madje pëlqente disa postime në Facebook ku thuhej që ai të i ribashkohej VV’së.

E para zgjedhjeve të 6 tetorit, Aida Dërguti, të cilës i dolën më së pari problemet me Albin Kurtin në publik, lajmëroi se nuk do të ishte në listën e PSD’së për deputete. Në mandatin e fundit Dërguti ishte nënkryetare e Kuvendit.

Sot kryetari i ri, Molliqaj, tha se partia në programin e saj për të ardhmen e ka luftimin e populizmit që është në ritje nëpër gjithë Evropën dhe profilizimin si parti e majtë progresiste.