DASH: SHBA do të mbështesë çdo qeverisje mbështetur në vlerat evropiane

139

Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, vota për rrëzimin e qeverisë malazeze ishte demokraci parlamentare në veprim, në të cilën qytetarët e vendit mbajnë përgjegjës zyrtarët e tyre të zgjedhur në një përgjigje për Zërin e Amerikës në lidhje me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazovic.

“Shtetet e Bashkuara presin që Mali i Zi të ndjekë procedurat ligjore ose për formimin e shpejtë të një qeverie të re në shërbim të vendit, ose për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike, e cila siguron përparimin e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike, që përfshin përshpejtimin e anëtarësimit në BE, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritjen e rolit në NATO, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me orientim qytetar, dhe që vazhdon të mbajë përgjegjëse Rusinë për luftën e saj brutale kundër Ukrainës”, thuhet poashtu në reagim.

Tutje, SHBA-të rikonfirmuan qëndrimin kundër Frontit Demokratik të cilët nuk mbështesin vlerat evropiane.

“Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Frontin Demokratik si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane, përfshirë faktin që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe nuk ka treguar udhëheqje apo vullnet për të bërë përparim në reformat kyçe të nevojshme për anëtarësimin në BE”, tha zëdhënësi.