Debat i ashpër televiziv ndërmjet Eroll Salihut e Arianit Ahmetit

Ish – zv/sekretari Arianit Ahmeti dhe sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, kanë pasur një debat të ashpër në “Rtk” mbi zhvillimet e fundit rreth iniciativës për rrëzimin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin.

Ahmeti e ka akuzuar Salihun për shkarkimin që ia bëri Komiteti Ekzekutiv.

“Po habitem se si sekretari Eroll Salihu dhe të gjithë shkelësit tjerë që ky sekretar para dy orësh ma ka dërguar një e-mail ku më ndërprenë pushimin dimëror, i cili më takon me ligj”, deklaroi fillimisht Ahmeti.

“Unë të njoh sa ke njohuri dhe kapacitete intelektuale. Unë nuk e pranoj shkarkimin. Këto veprime që i keni bërë, shkojnë në të mirën time”.

“Imazhin e FFK-së e ka pasur në dorë ta kthejë Eroll Salihu, i cili e ka shkelur ligjin me dy këmbët duke mos e ftuar Kuvendin Zgjedhor, i cili duhet të mbahet më 5 janar 2020, kur i përfundonte mandati Vokrrit”, shtoi Ahmeti.

Më pas atij iu kundërpërgjigj Salihu dhe palët u përfshinë në një debat me tone të ashpra.

Gazeta Olle pasqyron debatin me akuzat dhe kundër-akuzat e plota:

Eroll Salihu: Arianit, fillimisht më konfirmo që unë të kam zgjedhur për postin tënd në FFK.

Arianit Ahmeti: Nuk është e vërtetë që më kë zgjedhur ti. Unë jam zgjedhur me propozimin e Fadil Vokrrit. Është votuar për mua. Ti s’më ke uruar kurrë, sot e asaj dite.

Eroll Salihu: Do të thotë unë s’të kam emëruar në atë pozitë?

Arianit Ahmeti: Ti nuk më ke emëruar. Më ka emëruar Komiteti Ekzekutiv, sepse ti s’ke pasur kompetencë.

Eroll Salihu: Po e quan klikë FFK-në, apo klikë atë klikën tënde? Si s’të vjen turp të thuash je në pushim, kur ti po merr nënshkrime për rrëzimin e Ademit?

Arianit Ahmeti: Dokumentoni që po marr nënshkrime dhe pastaj e pranoj. Ju jeni ata që po vraponi për nënshkrime në Gjakovë, në Mitrovicë e në vendet tjera.

Eroll Salihu: Unë nuk dua të merrem me këtë nivel fare. Nivel i ulët.

Pas disa deklaratave tjera, moderatori mbylli emisionin.