Debate të forta në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën

Replika të forta ka pasur mbrëmë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në seancën e radhës për Kosovën.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla u përplas në deklarata me homologun e saj serb, Nikola Selakoviç. Në këtë debat u përfshi edhe ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.

Gërvalla e cilësoi Slobodan Milosheviqin si ‘Kasap të Ballkanit’, por Ministri serb reagoi duke deklaruar se kasapët e vërtetë të Ballkanit janë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Është turp që Serbia nuk e ka pranuar ende realitetin”, tha Gërvalla.

Ndersa Selakoviç tha se Vuçiç po ndërton ura bashkëpunimi në rajon, ndërsa Kurti po shkatërron stabilitetin dhe paqen.

Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, ndërhyri në këtë debat duke deklaruar:

“Sfidoj këdo në Këshill që të më provojë dhe argumentojë se Ballkani nuk është më mirë me Kosovën si një shtet i pavarur”.

Diplomati shqiptar nënvizoi se “dëgjohen ende britmat e heshtura të 20 mijë viktimave (gra dhe vajza) të cilat u përdorën si armë lufte nga serbët”. Por ai kërkoi që tashmë të gjithë të fokusohen tek e tashmja dhe përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërkaq. sot vëmendja është në Bruksel ku pritet te arrihet marrëveshja për targat.