Dedaj thotë se UÇK-ja nuk i ndaloi gjatë vizitës në Qirez por atje shkuan si në dasmë

Dëshmitari Gjergj Dedaj ka thënë se gjatë vizitës në Qirez nuk janë ndaluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Dedaj tha se nuk kanë pasur fare shqetësim nga pjesëtarët e UÇK-së dhe se shqetësimi i tyre ishte gjendja e popullatës civile atje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ishte një makinë e cila kishte shenja, se detajet është problem me i kujtu. Ne nuk e kishim fare shqetësimin nga pjesëtarët e UÇK-së, shqetësimet tona ishin për gjendjen e popullatës civile në ato zona dhe me të thënë të drejtën kur e kemi pa UÇK-në jemi gëzu shumë dhe jemi ndje krenar”, tha Dedaj.

Ai tha se gjatë kësaj vizite kanë shkuar rreth 30-35 veta, me makina e kravata si në dasmë.

“Ndoshta kemi qenë 10-12 deputetë, nuk e di saktë. Kanë qenë gazetarë, kanë qenë disa zonja. Kanë qenë shoferet sepse ne kemi shku me kravata, me makina si në dasmë dhe iu tregova pse kemi shku. Në Qirez kemi qenë 30-35 vetë nuk e di saktë sepse nuk dua me spekulu”, tha Dedaj.

Ai tregoi edhe emrat e disa personave për të cilët thotë se kanë qenë në delegacion.

“Kam qenë unë kryetar i delegacionit. Ka qenë zonja Nekibe Kelmendi si zëvendëse e kryetarit të Delegacionit- një zonjë të cilën më vonë serbët ia kanë vra burrin edhe dy djemtë, mua m’i kanë vra 12. Kanë qenë edhe deputetë të tjerë Isuf Telaku, Agim Krasniqi, Hasim Dermaku, Sokol Blakaj, Agim Krasniqi, Mehdi Bardhi. Emrat i keni ju, ata emra që i kam dhënë ata janë sepse ndonjë mundem me e harru”, tha Dedaj.

Dedaj përshkroi edhe veprimet që ai dhe delegacioni i kishin ndërmarrë gjatë vizitës në Qirez.

“Në Qirez kemi pa, në hyrje të Qirezit domethënë kemi pa pjesëtarë të UÇK-së, fillimisht kam shku në xhaminë e fshatit e cila me sa me kujtohet ka qenë e bombarduar nga forcat serbe dhe kam vizitu popullatën civile, të sëmurit, fëmijët të cilët ishin në atë xhami në gjendje të papërshkrueshme, në gjendje tmerruese në gjendje trishtimi. Kemi vizitu edhe shkollën, pastaj kemi vizitu një zyre e cila thonin se është Zyra për Informim e Qendrës së LDK-së, kemi hy brenda për me mujtë me i pyet banorët për situatën në Qirez”, tha Dedaj.

Dedaj ka folur lidhur me vizitat që delegacioni politik i ka bërë në zonat e luftës

“Katër vizita; Malishevë, Banjë, Pagaurshë pastaj kah Qafa e Duhles, Bellanicë, Gucat deri në Senek. Vizitën e tretë jemi ndal nga paramilitarët serbë në Pejë sepse dëshironim të shkonim në Gllogjan, në Gllogjanin e Pejës se ku thuhej në Kishën Katolike janë mbledhur me mijëra shqiptarë të zhvendosur, mirëpo paramilitarët na kanë kthyer në Pejë, na kanë kërcënuar dhe kanë thënë nëse vazhdoni tutje, dhe nëse ndaleni vetëm me një vend kemi me ju vra. Vizita e katër ishte në Qirez”, tha Dedaj.

Ndërsa, vizita në Qirez, Dedaj tha se është realizuar me 20 shtator 1998.

Ndryshe, gjatë dëshmisë së tij, Dedaj tha se Presidenti Ibrahim Rugova është themelues i platformës së Republikës dhe shtetit të Kosovës ndërsa lideri i mëvonshëm Hashim Thaçi tha se është ai që e ka përmbyll procesin e pavarësisë së Kosovës.