Lekaj: Do ta shqyrtojmë heqjen e monopolit të homologimit

Pas miratimit të rezolutës nga Kuvendi i Kosovës për heqjen e monopolit të Devollëve lidhur me shërbimin e homologimit të veturave, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i ka thënë Express se do ta shqyrtojnë heqjen e monopolit të homologimit. Kundër monopolit të Devollëve në homologim së fundi janë deklaruar edhe ambasadori gjerman, Oda Amerikane dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, ndërkohë që edhe qytetarët kanë filluar nënshkrimin e një peticioni online për t’i dhënë fund homologimit në tërësi.

Monopolit të Devollëve në homologimin e veturave mund t’i vijë fundi nëse ka vullnet politik. Pas reagimeve të ndërkombëtarëve, miratimit të rezolutës në Kuvend e kërkesave të qytetarëve, Ministria e Infrastrukturës mund të marrë masa në këtë drejtim.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se do të fillojnë me shqyrtimin e mundësive të ndryshimit të ligjit të automjeteve.

“Ne jemi për respektim të vullnetit të deputetëve dhe do të fillojmë shqyrtimin e mundësive të ndryshimit të ligjit të automjeteve. Unë kam shprehur vullnetin e mos lejimit të monopolit, por respektojmë ligjin”, ka thënë Lekaj.

Ndryshe, me 62 vota ‘për’, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave. Nga 65 deputetë sa ishin të pranishëm, 62 vota ishin pro, dhe 2 abstenime.

Sipas kësaj rezolute kërkohet ndërprerja e udhëzimit administrativ të vitit 2018 për homologimin e automjeteve, dhe që brenda gjashtë muajve prej miratimit të kësaj rezolute të liberalizohet tregu i homologimit.

Ndërkohë, para dy ditësh, qytetarët e vendit kanë filluar nënshkrimin e një peticioni online për t’i dhënë fund monopolit të Devollëve në homologim dhe këtij obligimi në tërësi. Deri tash peticioni është nënshkruar nga rreth 6 mijë qytetarë.

Nisma për këtë peticion ka qenë e ekonomistit Hekuran Murati, derisa përmes tij po kërkohet që t’i jepet fund obligimit për homologim.

“Nuk ka nevojë që 99% e qytetarëve të paguajnë kot, për shkak se 1%-shi tjetër importon vetura të pastandardizuara. Prandaj rruga e duhur është që obligimi ligjor për homologim të hiqet në tërësi. Për këtë nevojitet që Kuvendi i Kosovës të ndryshojë Ligjin për Automjete. Është koha që deputetët të tregojnë se a janë me të vërtetë përfaqësues të popullit apo marioneta të oligarkëve”, thuhet në peticion.

Ndryshe, kundër monopolit të Devollëve në homologim janë shprehur edhe ambasadori gjerman në Kosovë dhe Oda Amerikane.

Ambasadori gjerman, Kristian Heldt, ka thënë se nuk e kupton se si veturat që vijnë me të gjitha dokumentet dhe kontrollet e nevojshme, duhet t’i nënshtrohen edhe një kontrolli tjetër nga kompania private, që në këtë rast është e Devollit.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provoj të kuptoj logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE-në?”, ka shkruar Heldt në Twitter, transmeton Express.

Edhe Oda Amerikane ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me monopolin në homologimin e automjeteve nga Devollët, duke thënë se kjo pengon konkurrencën, promovon praktikat e padrejta të ofrimit të shërbimeve dhe rrit shpenzimet e bizneseve dhe qytetarëve.

“Të pasurit e një operatori të vetëm të homologimit pengon konkurrencën e lirë, e rrjedhimisht edhe efikasitetin që do të rezultonte nga ofrimi i shërbimit nga më shumë operatorë, si në aspekt të shmangies së çmimeve të larta, por edhe të rritjes së disponueshmërisë së shërbimeve të diversifikuara për publikun. Sistemi aktual i homologimit të automjeteve pengon lirinë e ofrimit të shërbimeve, e cila ka për efekt ndëshkimin e konsumatorëve me shpenzime shtesë logjistike nga marrja e shërbimit në një lokacion të vetëm”, thuhet në komunikatën e saj drejtuar mediave.

Një reagim të njëjtë e ka pasur edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ndryshe, çdo makinë e importuar në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një kontrolli rutinor i quajtur “homologim”. Ky lloj kontrolli bëhet vetëm për t’i inkasuar 125 euro.

Pra, secili qytetar apo kompani që blen vetura, detyrohet t’i nënshtrohet homologimit në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), e cila është pronë e Shkëlqim Devollit nga Peja.