“Defender 21” në Tiranë, ushtarët e SHBA: Shqipëria shumë e bukur, do kthehemi si turistë

Kryeqyteti i Shqipërisë është bërë “teatër” i demonstrimit të radhës së Forcave të Armatosura Shqiptare në bashkëpunim me Forcat e NATO-s, në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”.

Entuziazmi dhe kërshëria ishin kryefjalë e ecejakeve të qytetarëve të Tiranës që ushqyen kuriozitetin e tyre duke prekur nga afër armatimet dhe logjistikën ushtarake të ekspozuar në sheshin “Nënë Tereza”, ku ndër të tjera dhe u demonstrua forca e Aleancës së Atlantikut të Veriut përmes një ushtrimi ushtarak, i cili përfshinte aksione nga qielli dhe toka.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ndoqi nga afër takimin e qytetarëve të kryeqytetit me forcat e armatosura amerikane dhe shqiptare që mbushën sheshin përpara kampusit qendror me konture të gjelbërta ushtarake, me armatimet më të fundit si dhe helikopterët “Black Hawk”.

Disa ushtarakë amerikanë u shprehën se Shqipëria është një vend shumë i bukur, ku me kënaqësi do të riktheheshin për pushime.

“Na pëlqen shumë. Na pëlqen absolutisht shumë. Pamje si këto nuk gjenden në Amerikë. Peizazhi dhe pamjet janë të mrekullueshme. Njerëzit janë shumë të këndshëm dhe miqësorë dhe ne e vlerësojmë shumë këtë”,- tha njëra prej ushtarakeve të SHBA për ATSH-në.