Dënohet serbi i akuzuar për krime lufte në Vushtrri

0
255

Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka gjetur fajtor serbin Zoran Vukotiq duke e dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burgim për krime lufte kundër popullatës civile – paraburgosje të paligjshme, rrahje dhe trajtim jonjerëzor të të paraburgosurve në Qendrën e Paraburgimit në Smrekonicë.

Në arsyetimin e trupit gjykues thuhet se Vukotiq është gjetur fajtor sepse mes datave 2 maj deri në qershor të vitit 1999, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe duke vepruar si gardian burgu në Qendrën e Paraburgimit në Smrekonicë, në mënyrë të qëllimshme dhe në bashkëveprim, derisa një numër i madh i shqiptarëve janë mbajtur në Mitrovicës ata kanë qenë të ekspozuar ndaj trajtimit johuman përmes rrahjeve duke bërë shkelje të integritetit të shëndetit dhe shkaktimin e lëndimeve trupore.

Por, Zoran Vukotiq u shpall i pafajshëm për krime lufte kundër popullatës civile në masakrën e Studimes, njofton Klan Kosova.

Vukotiq është akuzuar për pjesëmarrje në këtë masakër si rezervist i Policisë serbe ku janë përfshirë akuza për vrasje, terror, plaçkitje dhe trajtim jonjerëzor.

Në ndërkohë, më 16 maj të këtij viti, po kjo Gjykatë e shpalli të pafajshëm Zoran Vukotiqin për rastin e vrasjes së katër civilëve shqiptarë në Vushtrri në vitin 1999.

Pos kësaj, mbi Vukotiqin rëndonte edhe akuza për trajtim çnjerëzor të mbi 20 civilëve në Vushtrri në maj të vitit 1999.

Por, për të gjitha akuzat ai u la i lirë pasi kryetari i trupit gjykues kishte deklaruar se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se Zoran Vukotiq është kryesi i këtyre veprave kriminale.

Vukotiq u arrestua më 10 maj 2016 në afërsi të Nikshiqit, me një urdhër-arrest nga EULEX-i dhe më pas u ekstradua në Kosovë.

Aktakuzën për krime lufte kundër popullatës civile ndaj serbit Zoran Vukotiq e kishte ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës.

Aktakuza ishte ngritur nga një prokuror vendas i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me një prokuror të misionit të EULEX-it.