Deputeti i LDK-së: Nëse Albin Kurti nuk shkon te varri i Rugovës nuk mund të jetë kryeministër

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka ripërsëritur edhe njëherë se nuk do të bëjë homazhe tek varri i Ibrahim Rugovës.

Ai ka theksuar se nuk do të përkulet tek varri i Ibrahim Rugovës pse ia kërkon dikush i LDK-së si kusht për koalicion.

E ndaj kësaj deklarata ka ardhur reagimi i Lidhjes Demokratik të Kosovës.

Deputeti i kësaj partie Ramiz Kelmendi në një përgjigje për Gazeta Blic ka theksuar se kur Albin Kurti nuk respekton historinë e ndritur të shqiptarëve nuk mund të jetë nesër kryeministër i tyre.

“Qëndrim i një lideri politik që nuk e viziton varrin e Ibrahim Rugovës, një njeriu që ka kontribuar shumë për Kosovën, do të thotë se kjo është një lloj xhelozie shume e egër. Nuk i njihet kontributi një personi që ka patur aq shumë vlera si zoti Rugova në shtet ndërtimin dhe lirinë e Kosovës. Ky lider nuk mund të jetë kryeministër i këtyre qytetarëve duke ju mohuar historinë atyre” ka thënë shkurt Kelmendi.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, asnjëherë nuk e ka vizituar varrin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Edhe pse kjo gjë i ishte kërkuar si kusht për koalicion me LDK-në, Kurti duket që nuk do të lëvizë nga qëndrimet e tij.

Megjithëse lideri i VV-së u shpreh i bindur se nuk do ta vizitojë varrin e Ibrahim Rugovës, të njëjtën bindje nuk pati dhe për postin e kryeministrit.

Ai nënvizoi se asnjëherë nuk i ka kërkuar LDK-së dhe veçanarisht Isa Mustafës që ai ta ketë me çdo kusht postin e kryeministrit duke dhënë sinjale pozitive për një marrëveshje të mundshme.

Përndryshe nga LDK është bërë me dije se në mbledhjen e radhës do të diskutohet për koalicionin e mundshëm me Vetëvendosjen si dhe do të konfirmohet kandidatura për kryeministër.