Deputeti i VV-së thirrje LDK-së: Ejani të qeverisim bashkë, për çka jemi votuar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Majqinovci, ka ftuar LDK-në që ta bëjnë bashkë Qeverinë e re të Kosovës pasi që këtë sipas tij më 6 tetor e kanë kërkuar qytetarët e vendit.

“Njëri nga nënkryetarët e LDK –së, paska deklaruar se “LDK i ka humbur zgjedhjet nuk është parti e parë, jemi të detyruar t’i presim hapat e LV – së që është përgjegjëse për krijim të institucioneve”, një qëndrim ky tërësisht korrekt i tij ashtu siç ne jemi të bindur se LDK, është një partner me një legjitimitet demokratik të respektueshëm i cili ka ardhur nga opozitarizmi i koordinuar mirë në Kuvendin e Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje, pra një binom i mandatuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës si opsioni më i besueshëm për të bërë ndryshimet rrënjësore në qeverisjen e vendit””.

“Lëvizja është duke punuar shumë që marrëveshja për bashkëqeverisje, të reflektojë përmbajtje të tillë që e mundëson ndryshimin e kërkuar nga populli. Dhe nuk po flasim këtu thjesht dhe vetëm për votuesit e LVV, por edhe ata të LDK, sepse edhe ai elektorat ka votuar me bindje dhe motive të përafërta: çkapje e shtetit, instalim i meritokracisë, rikthimin e rendit dhe të ligjit”, është shprehur ai përmes Facebook, transmeton Klan Kosova.

Ai ka thënë se VV dhe LDK duhet ta zbatojnë vullnetin qytetar dhe se e kanë obligim që vendin ta nxjerrin nga kriza.

“Këtë duhet ta bëjmë në mirëbesim dhe mirëkuptim të plotë fillimisht duke e kuptuar e lexuar zërin e qytetarëve, pastaj duke përjashtuar çdo metodë, skemë e mendësi të kuptimit të pozitave e pushtetit, sikurse në modelin e të kaluarës. Jemi pajtuar për programin, duhet të pajtohemi edhe për parimet udhëheqëse dhe në pushtet të mos shkojmë për vete, por për njerëzit”.

“Ejani të qeverisim bashkë jo siç them unë apo siç thua ti, por siç thotë projekti për ndryshim e transformim të thellë në qeverisjen e vendit, për çka edhe jemi votuar”.