Deputeti Milaim Zeka nga Nisma ofron votën për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA’s, Milaim Zeka, ka ofruar votën e tij për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, transmeton Gazeta Metro.

Për mocionin e dy partive opozitave, LDK dhe VV, votat nuk do t’i ofrojnë deputetët nga pakicat boshnjak dhe ashkalinj.

Deputeti i Grupit parlamentar 6 +, Danush Adrmi, ka thënë se nuk do ta përkrahë mocionin e paralajmëruar të opozitës.

”Vota ime asnjëherë nuk do të rrezon këtë Qeveri. Janë disa arsye: Si mundemi të votojmë ne për rrëzimin e kësaj Qeverie, kur kjo Qeveri ka ndarë 3.5 milionë euro për ndërtimin e 300 shtëpive për komunitete. Unë as që mendoj ndonjëherë që dora ime do të ngritet për rrëzimin e kësaj qeverie. Por, nëse i kanë votat e tjera të deputetëve, ata i din punët e veta, por ne gjithmonë do të jemi pjesë e Qeverisë pa marrë parasysh kush udhëheq me të”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, këtë nismë po e përkrahë deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka

“Ndoshta është mirë me iu bashku sa më shpejtë këtij mocioni. Nëse opozita vjen deri tek momenti që do të varet nga vota ime, publikisht deklaroj votën time për rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë Zeka për KTV.

Kujtojmë se për çështjen e mocionit ndaj Qeverisë Haradinaj, kryetari i LDK’së Isa Mustafa, ka takuar kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe atë të PSD’së, Shpend Ahmeti.

Ndërsa, sekretari gjeneral i LDK’së, Ismet Beqiri, është deklaruar duke thënë se i presin këto vota.