Deputeti Nura i kundërpërgjigjet Mimoza Kusarit për deklaratën e policëve në arkivole

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Nura sot në kuvendi i ka reaguar deklaratës së shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, për pagesën e rrymës në veri.

Ai tha se deklarata e Kusari-Lilës se më mirë është që të paguhet rryma në veri sesa të kthehen policët në arkivole është kulmi i idiotësisë politike.

“Është deklarata skandaloze e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së se më mirë është që t’i paguajmë 11 milionë euro rrymën e serbëve sesa të kthehen policët në arkivol. Kjo deklaratë shënon kulmin e idiotësisë politike dhe institucionale. Në përpjekjeje për ta justifikuar këtë vendim të turpshëm e përdori si referim e përbuzje aktin trimëror në rënie të detyrës së policit hero Enver Zymberi”, ka thënë ai.

Më tutje Nura i tha Kusari-Liles se Enver Zymberi nuk ka shkuar veri për të kërcyer.

“Zonja Kusari, policit që ju drejtuat në kuptimin pezhorativ për dijeninë është heroi më i ri i Kosovës. Ai nuk kishte shkuar atje as të kërcejë e as të vallëzojë. Ai shkoi atje bashkë me amanetin e mijëra ushtarëve të UÇK-së”, ka thënë Nura.