Deputetja e AAK-së: Kurti në rolin e liderit popullist, situata po i konvenon Serbisë dhe Rusisë

Kosova është goditur me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, për shkak se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionimin e situatën në veri.

BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.

Masa tjetër është që Kosova nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë, përveç diskutimit të krizës në veri në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, njëherësh deputete e AAK-së, Time Kadrijaj i ka komentuar për Front Online këto masa ndëshkuese.

Deputetja e AAK-së, tha se sanksionet e paralajmëruar nga Bashkimi Evropian janë bërë realitet.

Kadrijaj ka përmendur disa nga shqetësimit që ka AAK-ja lidhur me sanksionet e BE-së për Kosovën.

“Ne e kemi parë me shqetësim që kur janë paralajmëruar këto sanksione. Disa paralajmërime kanë qenë të cilat ju kanë parashtruar Kurtit që të reflektojë dhe të ulët në tavolinën e diskutimeve dhe të bashkëveproje me vendet aleate, por ai ka refuzuar”.

“Ne kemi ngritë disa shqetësime kur kemi pas edhe interpelanca e debate në Kuvend, pikërisht për këtë AAK ka kërkuar që të ketë një mocion mosbesimi për Qeverinë e Kosovës duhet të angazhohet ndryshe sepse opozita nuk ka numra të mjaftueshëm dhe na nevojitet edhe një pjesë e deputetëve të mazhorancës. Sanksionet e paralajmëruar janë bërë realitet”, ka thënë ajo.

Kadrijaj tha se mos-koordinimi me aleatët ka sjellur Kosovën deri në sanksione.

Ajo thotë se Kurti po e luan rolin e një lideri popullist, i cili nuk po sheh interesat e përgjithshme të Kosovës.

“Kjo gjendje kaotike nuk i konvenon Kosovës aspak vetëm Serbisë dhe Rusisë i hynë në punë. Gjithçka që është bërë deri tani është bërë pa koordinim të aleatëve. Kurti po e luan rolin e një lideri populist, përderisa udhëheqë me shtetin e Kosovës ky duhet të jetë një lidership i cili përtej interesave partiake duhet të shohë interesat e përgjithshme të Kosovës dhe jo të marr veprime të tilla të njëanshme”, u shpreh Kadrijaj.

Deputetja Kadrijaj thotë se me qeverisjen e Kurtit, Kosova nuk e ka luksin të sillet si të dojë me ndërkombëtarët.

“Nuk është e kuptueshme qeverisje e Kurtit dhe deputetëve të VV-së, sepse Kosova nuk e ka luksin të sillet si të dojë sepse bota nuk sillet rreth nesh. Kosova me ndihmë e aleatëve e ka përfunduar luftën, me ta e kemi bërë shtetin e Kosovës dhe ushtrinë e këtij vendi e kjo tendencë e kësaj qeverie që me izoluar Kosovën është e pakuptueshme dhe e papranueshme”, tha Kadrijaj.

Sipas BE-së për këto masa qeveria e Kosovës është njoftuar më 28 qershor. Masat janë të revokueshme në varësi të zhvillimevedhe të vendimeve të kryeministrit Albin Kurti. Bashkimi Evropian po monitoron gjithashtu nga afër edhe përmbushjen e kërkesave ndaj Serbisë.

“Ne nuk mund të përballojmë paqëndrueshmëri, tensione dhe dhunë. Ne kemi dënuar dhunën dhe vazhdojmë thirrjet për shpërshkallëzimin e menjëhershëm nga të dyja palët”, tha zëdhënësi i BE-së. Sipas tij, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ishte shumë e qartë: Shtensionimi i situatës në veri, zgjedhjet e reja në ato komuna dhe rikthimi në dialog. Këto janë tri pikat e përmendura edhe nga Samiti i BE-së që u mbajt dy ditë më parë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i quajti të padrejta masat e BE-së për Kosovën, duke thënë se “Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”.

“Këto nuk janë sanksione, është e vërtetë që janë masa të përkohshme, por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutivi më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë, ku ka shkaktuar katër luftëra”, – tha Kurti.