Deputetja Krasniqi kërkon të ndahet buxhet për funksionalizimin e Pediatrisë në Mitrovicë

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka kërkuar që të votohet buxheti për vitin 2021.

Krasniqi thotë se duhet buxhet për funksionalizimin e Pediatrisë në Mitrovicë.

Ky është fjalimi i saj i plotë:

E nderuar Kryesuese e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuar Kryeministër z. Avdullah Hoti dhe ju kabinet qeveritarë,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të dashur qytetarë,

Në këtë seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbështetur edhe nga deputetë tjerë, është sjellur për miratim Projektligji për për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021. Sigurisht, ky është një fakt që duhet vlerësuar, sepse pavarësisht rrethanave të krijuara në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës me Kryeministrin z. Avdullah Hoti dhe Lidhja Demokratike e Kosovës treguan pjekurinë dhe vendosshmerinë e tyre për të çuar vendin përpara.

Votimi i Buxhetit për vitin 2021, është me rëndësi jetike për ekonominë e shtetit, marrë parasysh edhe rrehanat me pandeminë. Pa dyshim, përfituesit me të mëdhenjë janë qytetarët. Shpërndarja e fondeve buxhetore në mënyrë direkte dhe indirekte do të ketë ndikim në përmirësimin e jetesës së tyre.

Në këtë kontekst, dua t’i jap edhe disa propozime që të jenë në vijë buxhetore për vitin 2021, megjithëse një nga to ka qenë e paraparë të realizohen me mjetet buxhetore të këtij viti, pra 2020, por për arsyeje të ndryshme nuk është realizuar.

Shkurtimi buxhetor prej 350 mijë euro në projektin e zgjërimit të rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Vushtrrisë, ka bërë që kjo komunë me 65 fshatra ta ketë gjendjen me të rëndë, në krahasim me komunat tjera, për sa i takon furnizimit me ujë të pijës. Andaj, në buxhetin e vitit që po hyjmë, duhet të ndahet shuma prej 350 mijë euro për të përmbyllur këtë projekt, në fshatrat që kanë mbetur pa shtrirje të rrjetit të ujësjellësit, rrjedhimisht mes shumë vështirësive për të siguruar ujin e pijes, që bazuar në parimin themelor të jetës “uji është jetë”, banorët e shumë fshatrave vazhdojnë të mos e kenë atë.

Një çështje tjetër që duhet të marrë zgjidhje, brenda vitit të ardhshëm është ajo e spitalit të Pediatrisë në Mitrovicë, në të cilin kanë nisur punimet para 8 vitesh me ndihmen e një shoqate humanitare. Aktualisht, objekti është ndërtuar, por stafi mjekësor ende nuk ka nisur punën aty për shkaqe të problemeve financiare nga ana e financuesit, derisa trajtimi i pacientëve bëhet në një ambient jo të mirë, në kushte të vështira e në mungesë të mjeteve elementare. Megjithatë, për këtë duhet falenderuar stafin mjekësor në krye me Dr. Rrahman Merovcin shef i repartit të Pediatrisë, që pavarësisht mundësive të kufizuara ofrojnë shërbime mjekësore, duke mos kursyer asgjë për dhjetëra-qindra pacientë brenda ditës. Andaj, propozoj që në buxhetin e vitit 2021 të jetë edhe ndarja e 50 mijë euro për të zgjidhur problemin me objektin e Pediatrisë, i cili siç e ceka edhe më herët nuk po funksionalizohet për shkak se financuesi nuk ka arritur të përfundojë obligimet financiare ndaj kontraktorëve, andaj shteti, në këtë rast Qeveria e Kosovës duhet të marrë mbi vete këtë kosto financiare për të mundësuar funksionalizimin e tij dhe ofrimin e shërbimeve pediatrike në kushte me të përshtatshme, pasi që aktualisht në munges të mjeteve dhe kushteve të vështirave, nuk po arrihet të bëhet trajtimi i duhur, e kjo situatë mund të jetë e pafavorshme për me të vegjlit që janë edhe me të ndishëm në raport me kushtet dhe paisjet mjekësore. Pra, dua të theksoj se është në pyetje shëndeti i fëmijëve, të cilët pa mëdyshje i konsiderojmë si e ardhmja më e ndritur e vendit. Një tjetër shqetësim, që dua ta ngris lidhur me këtë çështje, që sigurisht pres të bëhet një zgjidhje, është edhe mungesa e stafit mjekësor, pasi që vitin e ardhshëm pritet që të dalin në pension 3 pediatra dhe nëse nuk rritet numri i specializantëve të pediatrisë, reparti do të mbetet me 4 pediatra, gjë që do të ngarkonte edhe punën e repartit, për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve.

Fundja, secili qytetarë që i drejtohet institucioneve publike shëndetësore për trajtim mjekësor duhet të marrë trajtimin e duhur. Është obligimi ynë që ta bëjmë këtë, së bashku duke krijkuar kushte të dinjitetshme dhe meritore edhe për stafin mjekësor që nuk kursejnë asgjë, për të ofruar shërbime mjekësore.

Në fund, konsideroj se ndarja e kostove financiare ashtu siç i propozova për buxhetin e vitit 2021, janë në përputhje me mundësitë buxhetore të shtetit, gjë që nuk do ta rëndonin situatën në aspektin ekonomik. Andaj, pres që të analizohen këto 2 propozime në mënyrë që të marrin zgjidhje në vitin që po hyjmë.