Der Tagesspiegel: Europës më së paku i duhet një luftë në Ballkan, por kjo po paralajmërohet

“Europës më së paku i duhet një luftë e re në Ballkan. Por, aktualisht, kjo po paralajmërohet”, kështu e nis artikullin kushtuar vizitës së ministres së Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, një prej mediumeve më të lexuara në Gjermani, Der Tagesspiegel.

Vizita e Baerbock në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi, ka bërë që të gjitha mediat gjermane ta rikthejnë vëmendjen edhe kah Ballkani Perëndimor, përveçse kah konflikti Rusi-Ukrainë, përcjell Demokracia.com.

Der Tagesspiegel raporton se që nga tetori i vitit 2021 është parë një dëshirë e hapur e Republikës Serbe për shkëputje nga Bosnje e Hercegovina. Kjo po ushqehet nga politikani serb Milorad Dodik.

Deri më tani, janë parë reagime shumë të zbehta nga Brukseli apo Berlini lidhur me këtë çështje dhe sipas mediumit gjerman, perëndimi e ka neglizhuar Ballkanin Perëndimor.

Në kohën kur Rusia po tenton ta pushtojë Ukrainën, Baerbock nisi vizitën në Sarajevë, Prishtinë dhe Beograd me një kampanjë: “paqe, liri, demokraci dhe prosperitet”, përcjell Demokracia.com.

Që të tria këto vende, sipas mediumit gjerman, kanë qenë dhe ende janë në tensione politike. Gjithsesi, të tri shtetet po rritet vullneti për të qenë nën krahun e Bashkimit Evropian.

Në Serbi, e cila ka negociuar anëtarësimin që nga viti 2014, formula gjysmë sekrete është: BE po, NATO jo. Fondet e Brukselit – me kënaqësi, afërsia me Moskën – me shumë kënaqësi. Ndërhyrja e NATO-s e vitit 1999 për të mbrojtur popullsinë shqipfolëse të Kosovës, e cila në atë kohë ishte një krahinë serbe, mbahet mend me hidhërim, raporton Der Tagesspiegel.

Serbët ende e përjetojnë me dhimbje të madhe humbjen e Kosovës, kështu që do të ishin të lumtur me një ndarje të Bosnje e Hercegovinës dhe me pjesën që do t’u bashkohej atyre më pas.

Sipas mediumit gjerman, fantazia për një “Serbi të Madhe” është ende në zjarr, madje e krahasueshme me përpjekjen e Putinit për një “Rusi të Madhe”, përcjell Demokracia.com.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e gjen veten në një telash për sa kohë që dëshiron t’i kënaqë të gjithë, Lindjen dhe Perëndimin jashtë vendit, të moshuarit e vijës së ashpër dhe reformatorët më të rinj në vend. Në një takim të veçantë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në fillim të këtij muaji, befasisht, Serbia votoi pro një rezolute të propozuar nga Shqipëria që të dënohet agresioni rus në Ukrainë”, shkruan ky medium gjerman, sipas të të cilit, pavarësisht kësaj, Vuçiq nuk pranon t’i përkrah sanksionet e Europës dhe t’i dalë kundër Vladimir Putinit.