Dokumenti i CIA-s 1995: Sali Berisha fliste te amerikanët kundër pavarësisë së Kosovës

Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar një dokument të 21 dhjetorit të viti 1995, që zbulon shumë për marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri të asaj kohe.

Në këtë dokument thuhet se presidenti shqiptar i atëhershëm, Sali Berisha, nuk e donte pavarësinë e Kosovës.

CIA thotë se më 1995, Berisha në prag të fushatës elektorale i ashpërsoi qëndrimet për çështjet ndëretnike, sipas tyre, duke e përdorur këtë taktikë për të mundur socialistët në zgjedhjet e asaj kohe.

Berisha, thuhet në këtë raport, atë kohë takonte diplomatë amerikanë të cilëve iu fliste kundër pavarësisë së Kosovës.

“Berisha – me shumë gjasa duke njohur pozicionin e dobët negociues të shqiptarëve etnikë – vazhdon të këmbëngulë që Rugova të heqë dorë nga kërkesat për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson se fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën të shmangë presionin nga liderët më aktivistë shqiptarë të Kosovës”, thuhet në dokumentin e CIA-së.

Mes tjerash, sipas CIA-s, Berisha në prag të fushatës më 1995 mund edhe të nxiste konfliktin që ishte evident.

“Një sfidë politike nga socialistët e Shqipërisë – ish-komunistë – në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme mund ta bëjë Berishën të ndjekë një linjë më të ashpër për çështjet rajonale etnike shqiptare. Ai gjithashtu mund të përdorë kartën nacionaliste për të marrë mbështetje nga partitë e vogla të djathta”, thuhet në raport.

Në këtë dokument thuhet po ashtu se “presidenti shqiptar Berisha do të luajë një rol udhëheqës në përpjekjet për të balancuar kërkesat për të përmirësuar gjendjen e pakicave të mëdha etnike shqiptare në Serbi dhe Maqedoni me përpjekjet për të nxitur stabilitetin rajonal. Megjithatë, Tirana u ka bërë jehonë kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për një fokus ndërkombëtar në Kosovë, duke u thënë diplomatëve amerikanë në fillim të dhjetorit se dështimi për të adresuar problemin e Kosovës do të çonte në një të ardhme të pasigurt në Ballkan”. /Fokusi.info