Deri tash, ende asnjë subjekt politik s’ka aplikuar për certifikim në KQZ

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend u shpallën për datën 14 të muajit të ardhshëm. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka nisur me procedurat e rregullta dhe përgatitjet e nevojshme në mënyrë që në ditën e votimit gjithçka të jetë gati.

E afati për certifikim të partive politike është hapur më 8 janar dhe do të mbesë i tillë deri më 16 janar. Zyrtari për Informim në KQZ ka deklaruar për Periskopin se deri në këto momente, ende asnjë subjekt politik s’ka aplikuar për certifikim.

‘’Deri në këto momente që po flasim, nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike’’, ka treguar Elezi për Periskopin.

‘’Subjektet politike, pra këtu përfshihen partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, mund të aplikojnë për t’u çertifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje deri më 16 janar, në orën 18:00. Pra, deri në këtë kohë subjektet politike duhet të sjellin edhe listat e kandidatëve për deputetë’’, thekson ai.

Ndërsa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë njoftuan se veç dy parti të reja kësaj radhe kishin aplikuar për regjistrim, e që afati për këtë proces tashmë ka përfunduar.