Dëshmitari Halimi thotë se nuk ka pasur mundësi që dikush të marrë ndonjë rekrut nga qendra stërvitore

Dëshmitari i njëmbëdhjetë i mbrojtjes, Musli Halimi, në seancën e së mërkurës, në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka rrëfyer për qendrën stërvitore në Zllash, ku tha se nuk ka pasur shansë që dikush të vij të marrë rekrutë nga kjo qendër, raporton Betimi për Drejtësi.

Pas një pauze të shkurtër, dëshmitari Halimi i pyetur nga mbrojtja se a ka ndodhur ndonjëherë që një rekrut të mos ishte i pranishëm në orën e përgatitjes fizike, u përgjigj duke e mohuar këtë.

“Nuk ka ndodh që të mungojë dikush në përgatitjen fizike”, tha Halimi.

Më pas, është kaluar në seancë private, ku avokati Julius Von Bone, ka parashtruar pyetje për dëshmitarin.

Pas kthimit në seancë publike, dëshmitari Halimi tha se nga Fatmir Sopi e Adem Shehu nuk ka marrë ndonjë informacion lidhur me ndonjë person që duhet të largohet nga qendra stërvitore.

“Fatmir Sopi, a ju ka thënë ndonjëherë ju personalisht nëse Bimi kishte ardhur për të marrë një rekrut të ri që ishte në qendrën stërvitore në atë kohë në shkollë”, pyeti Von Bone.

“Jo, unë e kam cek më herët se nuk ka pas shancë që dikush të vjen të merr dikë në qendër stërvitore. Po e them me plot përgjegjësi, çdo rekrut që ka ardhë në qendrën stërvitore e ka fillu trajnimin, e ka përfundu trajnimin. Nuk ka pas të drejtë dikush me komuniku me rekrut, përveç neve staf stërvitor, ka qenë rreptësishtë e ndalume për palët e tjera”, tha ai.

Ai konfirmoi se rekrutët merrnin nga një bexh.

Tutje, ai tha se policia ushtarake nuk e di saktësisht se ku ka qenë e vendosur.

Sa i përket kompetencës së policisë ushtarake, ai tha se është marrë me rendin dhe rregullat e ushtarëve.

“Disiplinën, kjo më shumë ka qenë, kjo. Konkretisht me disiplinën e ushtarëve në atë pjesë ku ata kanë qëndru”, tha dëshmitari Halimi.

Sipas dëshmitarit, ai ka dëgjuar që ka pasur një njësit me emërtimin BIA, por se nuk ka pasur kontakt me të njëjtit.

Kurse, tha se nuk e ka ngulitur në kokë kur ka dëgjuar për herë të parë për ekzistencën e kësaj njësie, pasi nuk ka qenë rast që është dashur ta fut në memorien e tij, por se ka dëgjuar për ekzistencën e saj.

Po ashtu, dëshmitari Halimi tha se nuk i kujtohet nga kush ka dëgjuar për këtë njësit.

Ndërsa, ai tha se saktësisht nuk i kujtohet data kur ka ardhur Adem Shehu në Zllash, por se sipas tij mund të jetë nga fundi i muajit mars.

Lidhur me Salih Mustafën, ai tha se nuk e ka njohur më parë, por që gjatë luftës e ka ditur pseudonimin e tij “Cali”, ndërkaq tha se nuk ka pasur kontakte me të pasi vija komanduese ka qenë e ndarë.

“Por, kam dëgju”, tha dëshmitari Halimi.

Lidhur me personin me nofkën “Bimi”, ai tha se është njoftuar me të paslufte shumë vonë.

“Edhe me Bimin kena punu në komunë, te dytë bashkë. Ai ka punu në një drejtori tjetër, unë punoj në një drejtori tjetër. Kështu që tash e njoh, e di kush është Bimi”, bëri të ditur ai.

Sa i përket rekrutëve që vinin në qendrën stërvitore dhe përfundonin stërvitjen, ai tha se ka qenë obligative të përfundonin stërvitjen, por edhe të kthehen nga kanë ardhur në njësitë e tyre përkatëse prej nga kanë ardhur.

Po ashtu, ai mohoi se është njoftuar ndonjëherë që një person me emrin Dardan ka ardhur të marrë dikë nga qendra stërvitore, e po ashtu mohoi se një gjë të tillë ia ka thënë Fatmir Sopi apo Adem Shehu.

Ai paraprakisht ka mohuar se ka dëgjuar që edhe një person me emrin Bimi ka ardhur për të marrë.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje nga ana e mbrojtjes, u vazhdua me pushimin e drekës, ku më pas pyetje do të parashtrojë Zyra e Prokurorit të Specializuar.