Dëshmitari thotë se nuk ka arsye të besojë se ndonjë zyrtar i ZPS-së u përfshi në dorëzimin e informacionit te OVL-UÇK

Dëshmitari Miro Jukiq, i cili është punonjës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke u përgjigjur në pyetje të trupit gjykues, ka thënë se nuk ka arsye të besojë se ndonjë zyrtar aktual apo i mëparshëm i ZPS-së është përfshirë në dorëzimin e informacionit të paautorizuar te OVL-UÇK.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk ka arsye të besojë se ndonjë person që vepron nën udhëzimin apo kontrollin e ZPS, është përfshirë në ndonjë mënyrë në dorëzimin e informacionit të paautorizuar te OVL-UÇK.

Dëshmitari Jukiq ka deklaruar se nuk e mban mend sa prej këtyre personave kanë thënë se janë kërcënuar në shtator apo pas shtatorit 2020.

Ndërkaq, kur u pyet se afërsisht sa janë, ai u përgjigj duke thënë se shumë pak kishin marrë kërcënim të drejtpërdrejtë, jo shumë.

Tutje, i njëjti konfirmoi se numri ka qenë më pak se 100 dhe se nuk mund të japë një shifër më të saktë dhe gjithashtu ka thënë se dy persona janë zhvendosur nga Kosova, kurse nga 20 deri në 30 persona, sipas tij, kanë marrë masa mbrojtëse.

Paraprakisht, pas pushimit të drekës, nga prokuroria dëshmitarit iu lexuan paragrafe nga deklarata e tij dhe u krahasuan me notat zyrtare.

Atij, ndër të tjera iu lexua paragrafi 11 i deklaratës së tij, ku thuhej “një dëshmitar tha se ishte informuar nga miqtë se emri i tij ishte në dokumentet konfidenciale dhe ai menjëherë mori masa për të rritur sigurinë e fëmijëve të tij, mori fëmijët menjëherë nga shkolla. Theksoi se kishte filluar të ndjehej sikur njerëzit e kishin izoluar atë dhe familjen e tij dhe se njerëzit me sa dukej nuk bënin ndonjë dallim mes dëshmitarëve dhe spiunëve dhe shtoi se ndjehej se familja e tij ndihej e rrezikuar”.

Pas kësaj, dëshmitari konfirmoi se kjo pjesë e deklaratës së tij bazohet në shënimin që u paraqit në gjykatore.

“Ky shënim nuk përmend pjesëmarrjen tuaj në kontaktimin e këtij personi, a kam të drejtë të konstatoj se njohuria e juaj në lidhje me këtë informacion bazohet vetëm në notën që keni rishikuar dhe është përpiluar nga kolegët tuaj”, u pyet dëshmitari nga ZPS.

Dëshmitari Jukiq tha se jo vetëm nga ajo, por edhe nga takimi, ku mori pjesë e ishte i pranishëm dhe se bëhet fjalë për takimin që përmendet në dokumentin në anën e majtë.

Kurse, shtoi se nuk ka njohuri se pse nuk përmendet që ka qenë i pranishëm edhe ai në këtë takim.

Tutje, u tha se në një paragraf tjetër të deklaratës së tij thuhet “një dëshmitar tjetër tha se pasi kishte dalë emri në dokumentet konfidenciale, njerëzit kishin filluar ta shikonin atë dhe familjen e tij në një mënyrë tjetër dhe se puna e biznesi i tij kishte humbur klientët.

“Dokumentin për një telefonatë që ka bërë kolegu juaj në shtator 2020 bëhet fjalë për atë çka i ka thënë një person kolegut tuaj se për shkak të rrjedhjes së informacionit, pra dokumenteve të ZPS dhe publikimit në medie, njerëzit kishin filluar ta shikonin atë dhe familjen e tij në një mënyrë tjetër dhe se puna e biznesi i tij kishte humbur klientët dhe kishte sjellë familjen e tij në vështirësi financiare”, vazhdoi duke lexuar prokurori James Patch.

Lidhur me këtë, dëshmitari pohoi se bazohet në informacionin e notës zyrtare dhe tha se dijeninë e tij për këtë informacion e ka mësuar gjatë rishikimit të dokumenteve.

Në vijim, iu lexua një paragraf tjetër ku u tha se thuhet që dëshmitari theksoi se për shkak  të bërjes publike të informacionit konfidencial numri i njerëzve që potencialisht mund t’i shkaktonin dëm familjes së tij ishte rritur.

“Në këtë shënim zyrtar që shikoni në anën e majtë të ekranit përmendet një telefonatë që e ka bërë kolegu juaj, e ka marrë në telefon një person në shtator 2020 dhe përmendet një person që i ka thënë kolegët tuaj se ai e ka ditur për rrjedhjen e informacionit se ka qenë i zemëruar për shkak të kësaj rrjedhje të informacionit dhe anëtarët e familjes nuk janë të sigurt sepse OVL-UÇK ka me mijëra anëtarë”, lexoi prokurori.

Tutje, tha se në të njëjtën faqe shohim që përmendet i njëjti person duke thënë se mendon që rrjedhja e informacionit ka rritur numrin e personave që mund t’i shkaktojë dëm familjes së tij.

Dëshmitari Jukiq konfirmoi se paragrafi që prokurori lexoi nga deklarata e tij bazohet në notën zyrtare dhe se për këtë ka mësuar gjatë shqyrtimit të notës zyrtare.

Ndryshe, trupi gjykues e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes që pyetjet për këtë dëshmitar t’i paraqes të enjten e ardhshme, me fillim nga ora 9:30.

Betimi për Drejtësi