Dëshmori Jashar Jashari, vinte nga Gjermania në luftë, nën tingujt e muzikës shqipe (Video)

Pas rënies heroike të JASHARËVE të Prekazit, në marsin e vitit 1998, rrugën e tyre e ndoqën edhe shumë trima të tjerë, të cilët të bashkuar rreth idealit kombëtar dhe nën ombrellën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë po bëheshin pjesë e historisë më të re.

Mobilizimit iu përgjigj edhe Jashar Jashari-Komandant Duraku, nga fshati Stroc, Komuna e Vushtrrisë. Ai nga mërgimi (Gjermani), niset për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së. I veçantë rrugëtimi i tij sepse vinte në luftë nën tingujt e muzikës së bukur shqipe.

Në mesin e marsit të 98-ës, Jashar Jashari, kalon kufirin shqiptaro-shqiptar dhe i’a mësynë vendlindjes së tij-Strocit. Në fshat, Jashari fillon organizimin e celulave të para të UÇK-së, duke i shtrirë tërë aktivitetet edhe në fshatrat tjera rrëzë Çyçavicës.

Mori pjesë në shumë beteja e që vlen të ceket ajo e datës 11 qershor 1998 në fshatin Hamidi.

Duke ndjerë nevojën për të siguruar armatim të mjaftueshëm, Jashari së bashku me shumë ushtarë tjerë kaluan kufirin dhe hynë në Shqipëri. Pas marrjes së armatimit me tu kthyer në Kosovë, Jashar Jashari me bashkëluftëtarë, më datën, 29 mars të vitit 1999, konkretisht pas mesnatës në Livadhet e Qershisë mbi Shishman të Gjakovës, së bashku me trembëdhjetë trima të tjerë, (si: Mehdi Zabeli, Mon Maqi, Jahja Danuza, Kadri Berisha, Nuhi Elezaj, Bujar Syla, Xhemajl Avdullahu, Armend Qymyri, Bujar Syla, Naim Lata, Florim Sejdiu, Ibrahim Asllani, Besim Rama dhe Jashar Jashari; ndërsa pati edhe të plagosur, ku ndër ta ishte edhe Esat Ymeri nga Vushtrria), ranë për të mos vdekur kurrë.

Sot ishte edhe përvjetori i tyre. Lavdi!

Për sakrificë dhe trimëri, dekorohet nga presidenti Thaçi me urdhërin “Hero i Kosovës”./Fokusi.info/

https://youtu.be/4kspynUBiEM