Avokati i Popullit: Kuvendi shkeli Ligjin për Këshillin Gjyqësor

Kuvendi i Kosovës, me vendimin e tij për përsëritjen e konkursit për anëtar të Këshillit Gjyqësor, e çoi veten në gjykatë.

Kjo pasi gjyqtari Besnik Bislimaj, i cili kishte konkurruar për anëtar në KGjK, po pretendon që hartuesi i ligjeve ka shkelur vetë Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, raporton KIKS KOSOVA.

Gjithçka kishte nisur më 28 mars të 2022-ës, kur Kuvendi shpalli konkurs për një anëtar të KGjK-së, pasi sipas Kushtetutës është përgjegjësi e legjislativit që dy nga nëntë anëtarët e këtij këshilli të zgjidhen nga ta.

Seanca për zgjedhjen e një anëtari të KGJK-së u mbajt dhjetë muaj pas shpalljes së konkursit dhe në garë qenë dy kandidatë: Besnik Bislimaj dhe Alban Ajvazi.

Në seancën e 18 janarit të 2023-ës, 46 deputetë votuan për Besnik Bislimajn, e 25 të tjerë për Alban Ajvazin, por Kuvendi konstatoi se asnjëri nga ta nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Votimi do të përsëritej në seancën e 2 shkurtit, ku Bislimaj do të merrte 26 vota pro, ndërsa kundërkandidati i tij 7 sosh.

Megjithatë, edhe në raundin e dytë, Kuvendi konstatoi se asnjëri nga kandidatët nuk mblodhi votat e nevojshme për t’u bërë pjesë e Këshillit Gjyqësor. Prandaj, Kuvendi më 2 shkurt të 2023-ës, mori vendim që konkursi të përsëritet.

Mirëpo, me këtë konstatim nuk qe i kënaqur Bislimaj, i cili pesë ditë më vonë, më 7 shkurt, e paditi legjislativin në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me pretendimin se ky vendim është i kundërligjshëm.

Në anën e tij Bislimaj ka edhe Avokatin e Popullit. Më 21 qershor nga ky institucion i dërguan një mendim ligjor Kuvendit të Kosovës, në të cilin ky institucion konstaton se Kushtetuta e Kosovës, në të cilën është bazuar vendimi i Kuvendit, rregullon vetëm çështjen e përbërjes së KGjK-së, por jo edhe procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të këtij institucioni.

Sipas Avokatit të Popullit, procedura e propozimit, zgjedhjes dhe shkarkimit të anëtarëve të KGjK-së, rregullohet përmes Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, saktësisht nenit 10, paragrafit 9, dispozitë në të cilën bazohet ankesa dhe padia e Bislimajt.

Avokati i Popullit vlerëson se kjo dispozitë e shmang bllokimin e zgjedhjes së anëtarëve të KGjK-së nga Kuvendi, rrjedhimisht, ndikon në funksionimin e KGjK-së, si organ i cili siguron pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor, duke konstatuar se Kuvendi duhet të bazohet në këtë ligj.

Me mosrespektimin e kësaj dispozite, Avokati i Popullit nxjerr në përfundim se Kuvendi ia ka mohuar Bislimajt të drejtën për të qenë anëtar i KGjK-së dhe ka ndikuar negativisht në parimin e ndarjes së pushteteve.

Në fund, Avokati i Popullit konsideron se Kuvendi duhet të luajë rol aktiv në ushtrimin e kompetencave të tij në drejtim të funksionalizimit të organeve të pushteteve të tjera, funksionimi i të cilave varet nga veprimet e tij, e assesi nuk duhet që me veprimet e tij, Kuvendi, të paraqitet si bllokues i funksionimit të organeve dhe institcioneve që nëjnë pjesë në pushtetet e tjera shtetërore. /Klankosova.tv