Dështon miratimi i katër marrëveshjeve ndërkombëtare pasi opozita lëshoi sallën e Kuvendit

Katër marrëveshje ndërkombëtare kanë dështuar të miratohen në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pasi partitë opozitare lëshuan sallën.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u larguan nga seanca e Kuvendit pasi nuk kaloi mocioni procedural i propozuar nga PDK-ja për futjen në rend dite formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike.

“E vazhdojmë këtë seancë, i tejkalojmë marrëveshjet ndërkombëtare sepse ato nuk është e mundshme të miratohen në mungesë të opozitës”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Katër marrëveshjet që ishin në rend dite për miratim në seancën e sotme:

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-130 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-139 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-140 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Mitrovicë, dhe

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-141 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.