Mustafa: Qytetarëve mos t’u shkojë mendja që të votojnë dikë tjetër, VV i ka sondazhet, ne i marrim votat

363

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën zgjedhor në Podujevë, në një nga komunat ku për disa vite radhazi udhëheq pikërisht kjo parti.

Me këtë rast, lideri i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se e ka të vështirë të zgjedh se carë të thotë, por që sipas tij LDK duhet të fitojë dhe LDK do të fitojë.

“Ne ia lëmë Vetëvendosjes sondazhet dhe ne do t’i marrim votat. Sepse ne kemi besimin e qytetarëve.

Ne e kemi qeverisur Kosovën dhe e kemi qeverisur në mënyrën më të mirë, kemi pas besimin e qytetarëve dhe ne i besojmë ata për këtë besim. I falënderojmë edhe për besimin që ia keni dhënë z.Agim Veliut këtu për kryetar të komunës e nesër edhe kandidatin tjetër të LDK-së për kryetar komune. Se asnjëri prej nesh s’mund ta sheh Llapin pa e parë një njeri të LDK-së në krye të Podujevës e një njeri të LDK-së në krye të Kosovës.Ne e kemi kandidatin më të mirë për kryeministër, asnjë prej atyre që janë aty s’i bën dëme. Njeri i mençur, i urtë e që di të komunikojë me qytetarët e Kosovës”, tha Mustafa, transmeton lajmi.net.

Tutej ai shtoi se Avullah Hoti është njeri që di ti zgjidhë problemet e qytetarëve e që mund të komunikojë me zyrat më të rëndësishëm të shteteve më të mëdha në vend e që është njeriu që e pruri njeriun nga Izraeli dhe nënshkroi marrëveshjen e parë në Shtëpinë e Bardhë.

Isa Mustafa tha se as s’duhet t’i shkojë mendja qytetarëve që të votojnë dikë tjetër.

“Duhet të votoni kandidat për deputet të LDK-së, duhet të votoni kandidatin për kryeministër të LDK-së, ky është fati i Kosovës, e ardhmja e Kosovës. Unë sot këtu s’dua t’u flas se si do të zhvillojmë ekonominë apo si ta forcojmë shtetin ligjor, apo se si do ti bëjmë reformat në arsim, se si do të zhvillojmë kulturën, sportin e si do të përkrahim rininë sepse konsideroj se në këto zgjedhje kemi probleme me të mëdha se të shtyjmë një njeri në punë, e këto probleme janë se kah po shkon Kosova. Ne kemi dallime të mëdha, ne me VV-në dhe me ata që janë afër Vetëvendosjes kemi dallime të mëdha ideologjike, ne dallojmë shumë, prandaj ata që janë për demokraci janë me ne, ata që janë për një shtet unitar janë me VV-në. Do të mendojë qytetar i Kosovës se kë duhet ta përkrahë”, shtoi Mustafa.