Dështon përsëri mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, Konjufca thërret seancën për të enjten

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës edhe njëherë për mungesë kuorumi nuk ka arritur të mbahet, e megjithatë është caktuar seanca plenare e Kuvendit të enjten më datë 18 nëntor, nga ora 10:00.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur këtë seancë, duke qenë se për të disatën herë ka dështuar të mblidhet kryesia.

Gjatë konferencës për medie, Konjufca ka thënë se Kuvendi nuk mund të bllokohet.

“Kjo është e disata herë që Kryesia e vendit nuk po mund të mblidhet dhe nuk po ka kuorum, mirëpo Kushtetuta e ka paraparë që Kuvendi i Kosovës nuk mund të bllokohet . Neni 67 i lejon kryetarit të Kuvendit i lejon të thërras seancën”, tha Konjufca.

I pari i Kuvendit theksoi se me nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës që ishin të pranishëm janë pajtuar që ai të thërras seancën.

“Vendosëm ta caktojmë seancën pasnesër me datë 18 nëntor në ora 10:00. Pastaj në këtë seancë pritet të zgjedhet edhe nënkryetari, nga radhët e PDK-së, duke qenë se Bedri Hamza është zgjedhur kryetar i Mitrovicës”, tha Konjufca.