Dështon votimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike në Komisionin për Legjislacion

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike nuk është votuar në Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, edhe pse dy herë u hodh në votim.

Në këtë Komision deputetët nuk patën vërejtje për projektligjin por megjithatë ai ka dështuar që të votohet për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryetari i komisionit, Shkëmb Manaj ka thënë se në Projektligj janë paraqitur 15 amendamente.

Ai ka thënë se asnjë amendament nuk ka qenë në kundërshtim me kushtetutën.

“Raportin me amendamentet e komisionit funksional e keni marr dhe janë paraqitur 15 amendamente. Unë nuk kam parë nëse ndonjë amendament është në kundërshtim me kushtetutën”, tha ai.

Komisioni ka diskutuar edhe propozimin e Vetëvendosjes për plotësimin e ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, e cila po ashtu nuk është miratuar nga anëtarët e komisonit.

Deputeti i LVV-së, Alban Hyseni ka thënë se është e nevojshme të lehtësohet procedura e votimit për diasporë.

“Është e nevojshme ta lehtësojmë procedurën e votimit, ku në shumë raste kushton çështja e votës me post dhe besojmë që përmes mënyrës se si ne e kemi propozuar të mundësohet një mënyrë me e lehtë e votimit”.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se ky ligj është i mangët, por duhet ti jepet rëndësi.

“Që dy mbledhje radhazi që ka ardhur nga VV-ja nuk është prezantuar , dhe mendoj që është iniciativë që duhet t’i japim drejt me votë, pra Ligji për zgjedhjet e përgjithshme është i rëndësishëm pavarësisht që është i mangët por, ne duhet ta trajtojmë. Mendojë që kjo nismë duhet të jetë më e gjerë që diasporës ti mundësojmë që të ketë përfaqësues të vetë në parlamentin e Kosovës”, tha Tahiri.