Dhunimi i 11-vjeçares, Gjykata merr vendim për të dyshuarit

Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin tre të miturve, të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares në gusht të këtij viti në Prishtinë. Ndërsa, dy të rriturit E.R., dhe SH.K., ndodhën nën masën e paraburgimit deri me 28 nëntor.

Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi – zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur me datë 22 nëntor 2022 ka pranuar kërkesën nga Prokuroria e Shtetit për vazhdimin e paraburgimit ndaj tre të miturve. Me të njëjtën datë, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka marr aktvendim që tre të miturve të ju vazhdohet paraburgimi edhe për nga 60 ditë, për secilin”, tha Gashi për express.

Ndërsa, dy të rriturve pritet t’u skadojë paraburgimi me datën 28 të këtij muaji dhe gjykata akoma nuk ka pranuar nga prokuroria kërkesë për vazhdim të paraburgimit.

“Ndërsa të pandehurit E.R dhe Sh.K gjenden nën masën e paraburgimit deri me datë 28.11.2022, të vazhduar sipas aktvendimit të fundit nga gjykata dhe deri më tani gjykata nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e masës së paraburgimit”, përfundoi Gashi.