“Dihet kush i ka zhdukë”: Mbrojtja ‘horror’ që i bëri Besnik Bislimi Deklaratës për Personave të Pagjetur

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se gjatë qeverisjeve të kaluara çështja e të zhdukurve nuk është trajtuar asnjëherë me urgjencë.

Ai ka theksuar se deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e pati quajtur të ezauruar këtë çështje.

“Sa i përket deklaratës për të zhdukurit me forcë. Një deklaratë është dakorduar në Bruksel edhe nga z. Hoti më 2020. Këtu thuhet që me çështjen e të pagjeturve do të merremi një vit pas Marrëveshjes finale. Zero emergjencë për trajtimin e kësaj çështje. Kujtojmë që deputeti Driton Selmanaj e pati quajtur të ezauruar këtë çështje”.

“Personat e zhdukur nuk janë kategori e re. Ata dihen me emra e mbiemra dhe dihet kush i ka zhdukë. Është idiotësi të thuhet që po barazohen krimet kur dihet se kur kanë ndodhë krimet dhe cilët janë personat e zhdukur me dhunë. Dhe kush ka informata që mund të shpijnë drejt gjetjes së këtyre personave.”

Pas kësaj reagoi edhe deputeti Selmanaj. Ai e quajti fat të tmerrshëm përfaqësimin e Kosovës nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bsilimi.

“Është fat i tmerrshëm për Kosovën që ka një nivel të tillë të përfaqësimit me këtë person. Tema e të pagjeturve janë fakte historike kurdo që dëshironi ju sjellim me dokumente konkrete. Ka qenë tema top prioritet i Qeverisë Hoti, ne kemi thënë që nuk ka marrëveshje për asnjë temë tjetër pa njohjen reciproke”, tha Selmanaj.