Disa orë pasi SHBA-ja i tërhoqi trupat, Turqia nis bombardimin e kurdëve

Pas “dritës jeshile” të sotme të Administratës amerikane, e cila tërhoqi trupat nga kufiri midis Sirisë dhe Turqisë, Ankaraja ka nisur operacionet ushtarake kundër luftëtarëve kurdë, edhe pse zyrtarisht objektivi është “neutralizimi i terroristëve”, që sipas presidentit Erdogan ndodhen në atë zonë.

Aksionet ushtarake nisen me artileri dhe gjatë darkës janë përforcuar me aviacion, që sipas korrespondentëve ndërkombëtarë në terren nis bombardimi i bazave të kurdëve të YPG-së, që deri pak kohë më parë bashkëpunonin me forcat amerikane në luftën kundër organizatës terroriste ISIS.

Edhe pse me një Twitter të sotëm presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, ka theksuar se “siç kam thënë edhe më parë, në qoftë se Turqia vepron në një mënyrë që tejkalon limitet, do të shkatërrojë ekonominë e saj”, aleatët e dikurshëm kurdë ndihen të tradhtuar nga SHBA-ja dhe premtojnë se ky veprim do të shkaktojë një luftë të hapur midis tyre dhe forcave turke.